Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq deklaroi sot se dialogu Kosovë-Serbi është gjëja më e rëndësishme, sepse sipas saj “garanton sigurinë e serbëve në Kosovë, por gjithashtu se është një parakusht për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit.”
Ajo deklaroi në TV Pink se, për fat të keq, siç tha ajo ”është e pamundur të flasësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sepse gjatë bisedës duket se ai nuk e sheh qëllimin e këtij dialogu”.
“ Kjo është një situatë e rëndë për gjithë regjionin, dhe kjo më së miri vërehet kur në më shumë se një vit nuk ka asnjë marrëveshje në regjion” është shprehur Bërnabiq.
Bërnabiq thekson se Beogradi këmbëngul në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, si dhe se çështja themelore për vazhdimin e dialogut është formimi i Asociacionit të komunave serbe.
Siç thotë ajo, Beogradi është i gatshëm të diskutojë çështje të tjera gjithashtu – personat e zhdukur, çështjet e energjisë, kthimi, problemet, një numër në rritje të incidenteve kundër serbëve.