Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të mbajë një fjalim të hënën, ndërsa frika në vend për një valë të re të koronavirusit është shtuar nga varianti i ri “Delt”a, një version më ngjitës i COVID-19.
Sipas autoritetete të shëndetësisë, numri i të sëmurëve me COVID-19 të shtruar në spital ka një prirje rënëse, por rastet e reja po shtohen dita-ditës.
Të dielën, Franca raportoi 4 mijë e 256 raste të reja, krahasuar me javën e kaluar, kur rastet shënonin 2 mijë e 549.
“Bazuar në statistikat e fundit, mendojmë se po futemi në një valë të re epidemike. Rastet e reja mund të arrijnë në mbi 20 mijë në fillim të gushtit në rast se ne nuk ndërmarrim menjëherë masa”, tha ministri francez i shëndetësisë Oliver Veran.
Si pasojë, Macron pritet të njoftojë masa të reja, vetëm pak ditë pas lehtësimit të tyre.
Sipas mediave franceze, disa nga masat që do të njoftohen nga presidenti Macron mund të përfshijnë ndryshime në numrit e lejuar në vende publike, rikthimi i maskave në mjediset e jashtme, si dhe kufizime të reja në lidhje me lëvizjet hyrëse apo dalëse në Francë.
Kujtojmë se klubet e natës u rihapën të premten, për herë të parë pas 16 muajve, një nga hapat më të mëdha drejt rikthimin në normalitet pas pandemisë.