Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka përkujtuar Ditën e Gjenocidit në Srebenicë.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca ka thënë se me drejtësinë nuk janë ballafaquar edhe mijëra, siç i quan ai, kriminelë serbë që kryen krime në Kosovë.
Ai ka përmendur edhe rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, përmes së cilës dënohet gjenocidi në Srebenicë.
Konjufca në postimin r tij ka rikujtuar edhe një fjalim presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që nxiste dhunën në kohën sa shërbente si minister i Informacionit në regjimin e Sllobodan Millosheviqit.
Postimi i plotë i tij:
Në korrik të vitit 1995, forcat ushtarake serbe vranë dhe masakruan mbi 8000 burra, gra, djem dhe të mitur boshnjakë në Srebrenicë.
Dy gjykata ndërkombëtare këtë mizori serbe e cilësuan me emrin e vërtetë – Gjenocid, ndërsa Parlamenti Evropian e shpalli 11 korrikun si “Ditë e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë”.
Edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës tashmë ka miratuar Rezolutën përmes të cilës e dënoi gjenocidin në Srebrenicë ndaj popullit boshnjak.
Por e liga ende jeton përderisa në Srebrenicë, sikur edhe gjithandej nëpër Kosovë, vazhdojnë të mbeten të hapura shumë varre, në pritje të trupave të të zhdukurve me dhunë që kërkojnë prehje. Serbia ende nuk e pranon dhe nuk është ndëshkuar për gjenocidin e ushtruar me zjarr e hekur në Srebrenicë dhe në Kosovë. Me drejtësinë nuk janë ballafaquar ende mijëra kriminelë serbë të luftës. Sot Serbinë e udhëheq një president i cili në atë kohë ishte ministër i kryekriminelit Milosheviq. Ai zotohej se “për çdo serb të vrarë do t’i vrasim 100 boshnjakë”.
Shprehim pikëllimin e thellë për njerëzit e pafajshëm që pësuan në gjenocidin e Srebrenicës dhe ndajmë dhimbjen e pafund me familjarët e tyre. /Demokracia.com/