Lajme
Osmani kritikohet për intervistën në “Republik”: Diplomacia e lartë nuk bëhet me të dëgjuara
Demokracia
19:00 | 11 Korrik 2021

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për Gazetën zvicerane “Republik”, ka folur për marrëveshjen ndërshtetërore për sigurimet shoqërore Zvicër-Kosovë, në të cilën ka thënë se proceset janë zvarritur shumë gjatë dhe se marrëveshja e sigurimeve shoqërore bartej nga një qeveri kosovare në tjetrën. Lidhur me këtë, ka reaguar Osman Osmani, udhëheqës i fushatës së “Unia” për marrëveshjen për pensione 2010-2020.

Osmani ka thënë se tani duhet reaguar pasi kemi të bëjmë me një fushatë e betejë 10 vjeçare ku është investuar shumë kohë, punë, mund, mjete e resurse, për të arritur tek marrëveshja e re me gjithë mangësinë saj, përcjell Demokracia.com.

“Kjo nuk guxon të mos përfillet, por as edhe angazhimi i madh e as gjithë ato mjete që u kanë takuar qytetarëve të vendit, të cilëve padrejtësisht nuk jua janë paguar deri me tani”, ka thënë Osmani.

Ndërsa Presidentja Osmani në këtë intervistë kishte thënë se proceset janë zvarritur shumë gjatë dhe se marrëveshja e sigurimeve shoqërore bartej nga një qeveri kosovare në tjetrën.

“Nga sa kam dëgjuar, burokracia kosovare ishte problemi. Proceset janë zvarritur shumë gjatë. Marrëveshja e sigurimeve shoqërore bartej nga një qeveri kosovare në tjetrën. Tanimë ajo ka hyrë në fuqi. Unë mund të kuptoj njerëzit të cilëve u është mohuar kjo e drejtë për vite me radhë. Por nuk dua t’i drejtoj gishtin askujt. Negociata të tilla kërkojnë shumë diplomaci”, ka thënë presidentja Osmani.

Këtë përgjigje Presidentja e kishte dhënë pasi që ishte pyetur “Me rreth 200,000 njerëz, Zvicra pas Gjermanisë ka diasporën më të madhe të shqiptarëve të Kosovës. Deri në vitin 2019, vlente: vetëm ata që janë banorë të Zvicrës mund të marrin pension. Rreth 50,000 njerëz që u kthyen përsëri në Kosovë nuk morën asgjë. Çfarë mendoni ju për këtë?”

Në një artikull të prointegra.ch, thuhet se shtetasit nga Kosova kanë punuan për vite të tëra në Zvicër dhe kanë paguan kontributet në sigurimet e detyrueshme shoqërore, por kur erdhi radha që ata të marrin një pension të pleqërisë ose invaliditeti për të kaluar moshën e tyre të pensionimit në vendin e tyre, ata mbetën duarbosh.  Fjala është për mijëra e mijëra njerëz, të cilët përgjatë 10 viteve të fundit u diskriminuan financiarisht për shkak se Zvicra në vitin 2010 vendosi për të mos vazhduar zbatuar Marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me ish- Jugosllavinë në raport vetëm me Kosovën.

“Pra presidentja e vendit në vend se të merr seriozisht hallin e të prekurve të dëmtuar dhe të shfrytëzojë nga rasti i pyetjes së shtruar për të kërkuar një zgjidhjen për të riparuar sadopak dëmet për të dëmtuarit (shtetasit që përfaqëson), ajo flet se çka paska dëgjuar dhe për diplomaci të lartë.  Ky fakt irriton, kur merret parasysh se Kryetarja e shtetit ka qenë deputete e kuvendit kur është debatuar ratifikimi i marrëveshjes dhe Ministri përgjegjës në atë kohë ka qenë kolegu i saj i LDK-së, Ministri Abrashi”, thuhet në reagim. /Demokracia.com/

Të ngjashme