Lajme
Kadri Veseli arrin në Kosovë, nga Gjykata Speciale japin detaje për Demokracia.com
Demokracia
15:26 | 10 Korrik 2021

Share:

Ish-kryetari i PDK-së dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Kadri Veseli, ka arritur sot në Kosovë nga Haga, ku po mbahet në paraburgim.

Kjo vizitë e Veselit vjen vetëm disa ditë pas vdekjes së babait të tij, Fazli Veselit, kanë konfirmuar nga Gjykata Speciale për Demokracia.com.

Zëdhënësja Angela Griep ka thënë se Veselit i është lejuar vizita në Kosovë në mënyrë që të qëndrojë afër familjes së ngushtë.

“Për arsye bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë, që Z. Veseli të jetë afër familjes së ngushtë. I Akuzuari mbetet në paraburgim dhe nën kujdestarinë e Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka thënë Griep për Demokracia.com.

Ndryshe, Fazli Veseli ka vdekur të mërkurën më shtatë korrik në moshën 94 vjeçare.

Ndërkaq, Kadri Veseli vetëm disa muaj më parë vizitoi Kosovën për të vizituar babanë e tij, i cili gjatë asaj kohe ndodhej në spital pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Vizita e Veselit edhe atëherë u përcoll me forca të shumta të EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës, të cilët po mbështesin Dhomat e Specializuara./Demokracia.com/

Të ngjashme