Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngehur aktakuzë në gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe katër të tjerëve për keqpërdorim të detyrës.
Lidhur më këtë Hoxha në një përgjigje për Demokracia.com ka thënë se ajo nuk është e informuar për aktakuzën, derisa e ka quajtur të pa bazë.
“Nuk jam njoftuar zyrtarisht. Jam e pafajshme. Është absurde dhe kanë ngritur padi për shpifjet nga raportimet joprofesionale. Ne kemi përcjellë procedurat lidhur me nënshkrimin e kontratës dhe jam plotësisht e pafajshme”, ka thënë Hoxha për Demokracia.com.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministres së Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, ish-sekretarit Kushtrim Cukaj dhe tre personave tjerë me inicialet F.M., D.Sh dhe N.O., për vepra të korrupsionit.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se aktakuza është ngritur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ish-ministrja Hoxha, ish-sekretari Cukaj dhe F.M. po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndërkaq, i pandehuri me inicialet D.Sh., akuzohet se e ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së.
Gjithashtu, i pandehuri me inicialet K.C., akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.
Po ashtu, i pandehuri me inicialet N.O., akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së./Demokracia.com/