Lajme
Lista “Guxo” në Ferizaj: Gërvalla na tha se nuk do të shkrihemi në VV, në zgjedhje lokale garojmë vetëm
Demokracia
18:33 | 06 Korrik 2021

Share:

Lista “Guxo” në Ferizaj do të kandidojë e vetme në zgjedhjet për Asamblenë Komunale që do të mbahen në tetor të këtij viti. Kështu ka konfirmuar për Demokracia.com koordinator i degës së Listës “Guxo” dhe asamblist në kuvendin komunal në Ferizaj, Balton Dërguti.

Dërguti tha se Lista “Guxo” pritej që të krijonte strukturat e veta pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, por se një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

“Në zgjedhjet e fundit nacionale ne kemi garuar me Lëvizjen Vetëvendosje me një listë për shkak se ishte një kohë e shkurtër dhe nuk kishim kohë që të formojmë subjektivitetin tonë politik, dhe duke e pas parasysh periudhën e shkurtë e pranuam një gjë të tillë. Por, duke pas parasysh që koha prej zgjedhjeve nacionale deri të zgjedhjet lokale ishte e gjatë ne kishim kohë të mjaftueshme të formojmë subjektivitetin tonë politik dhe të hyjmë në garë me identitet tonin”, tha Dërguti për Demokracia.com.

Ai më tutje tha se se ka qenë një dakordim që Donika Gërvalla të jetë kryetare e kësaj liste, dhe sipas Dërgutit, Gëvalla ka deklaruar që Lista “Guxo” nuk do të shkrihet asnjëherë një Vetëvendosje, por do të ketë subjektivitetin e saj politik në zgjedhjet e ardhshme.

“Ne shtabet e qytetit përfshirë edhe qytetet e tjera kemi pritë që sa kohë që po formohet, dhe duke pas parasysh që afatet kohore për dorëzimin e listave në asamble komunal mungojnë. Në një mbledhje që e kemi pas të shtunën Lista Guxo me shumicë votash kemi marrë vendim që në zgjedhjet lokale për asamble të garojmë të vetëm, ndërsa për kryetar komune e kemi lënë të hapur nëse do të dalim me një kandidat tonin, ose nëse do të mbështesim një kandidatë tjetër qoftë të Lëvizjes Vetëvendosje apo të ndonjë subjekti tjetër të cilën do ta shqyrtojmë me kryesinë e subjektit tonë”, tha Dërguti për Demokracia.com.

Ai shtoi se akoma nuk kanë marrë vendim se a do të dalin me ndonjë kandidatë të tyre apo do të bëjnë koalicion për kryetar komune me njërën nga partitë.

“Të gjitha qytetet kanë pritë që po e formon qendra, por nuk e ka formuar deri tash. E ne nuk kemi dëshiruar që edhe në zgjedhjet lokale të hymë në një listë ku shënon vetëm Vetëvendosje, për shkak se ne nuk kemi diçka kundër Vetëvendosjes por  duam që të kemi identitetin tonë në zgjedhje, që kandidatët tonë për asamble të garojnë me emrin tonë. Ne e lëmë të hapur bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje, por vetëm për kryetar komune në Ferizaj”, tha Dërguti për Demokracia.com.

Dërguti tha se kanë filluar proceduarat për regjistrimin si listë qytetare

“Ne tashmë kemi filluar proceduarat për regjistrimin si listë qytetare për shkak se afatet kohore për të regjistruar si subjekt politik ka përfunduar. Por kjo listë qytetarë do të regjistrohet vetëm për zgjedhjet lokale”, tha ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, për Demokracia.com tha se afati për të aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje dhe dorëzimin e listës me kandidatë është deri më 16 gusht

“Subjektet politike mund të aplikojnë (partitë politike, kandidatet e pavarur, iniciativat qytetare, koalicionet)”, tha Elezi.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar ditë më parë se në zgjedhjet lokale do të garojnë me Listën “Guxo”.

“Në këto zgjedhje lokale jo vetëm që jemi të gatshëm por edhe synojmë të bashkëpunojmë me listën “Guxo” sikur në zgjedhjet e 14 shkurtit”, tha Kurti.

Megjithatë, vetëm disa ditë më vonë, LVV shpalli zgjedhjet e brendshme për kandidatët që duan të garojnë për kryetar të komunës.

Nga e enjtja e javës që lamë pas, Demokracia.com ka kërkuar përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje dhe lista “Guxo” se si do të garojnë në zgjedhjet lokale, mirëpo të njëjti nuk kanë qenë të qasshëm deri në publikim e artikullit.

Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor të këtij viti./Demokracia.com/

 

Të ngjashme