Qytetarët të cilët kanë shkuar gjatë së martës që të imunizohen me dozën e parë kundër COVID-19, në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetor”, në Prishtinë iu është ofruar vetëm vaksina “AstraZeneca”. Edhe pse ditë më parë Ministria e Shëndetësisë ka bërë e ditur se qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin vaksinën në rastet kur qendra e vaksinimit ka dy ose më shumë lloje të vaksinave në dispozicion. Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë duke u dhënë të dyja vaksinat.
Sot në sallën “1 Tetori” në Prishtinë qytetarët shkuan të vaksinoheshin me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, por atyre nuk iu u dha mundësia të zgjidhnin se cilën vaksinë mund ta marrin, e kjo bëri që disa prej tyre mos ta marrin këtë vaksinë fare.
Florim Agushi ka marrë sot dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19. Agushi është vaksinuar me vaksinën “AstraZeneca”, për Demokracia.com ai tha se nuk patë mundësi të zgjedhjes së vaksinës.
“E mora AstraZeneca, e njëjtë është edhe kjo vaksinë, efektin e njëjtë e kanë si kjo si ato vaksinat e tjera. Nuk më është ofruar mundësi që të zgjedh, në dispozicion ishte vetëm kjo vaksinë”, tha ai.
Ndërsa, qytetari Feride Shala refuzoi ta merrte vaksinën “AstraZeneca”, ai tha për Demokracia.com, se nuk iu lejua të zgjedhë vaksinën që ai donte.
“Këtu po thonë që Pfizer nuk ka, e veç AstraZeneca po jepeshin. Unë pata qejf me marrë Pfizer po nuk kishte, e tash po duhet me pritë. Terminin e kam bërë të premten e më kanë thirr sot në mëngjes. Këta nuk po e marrë e ndoshta nesër vijmë prapë me e marrë Pfizer”, tha Shala.
Edhe disa qytetarë të tjerë në kushte anonimiteti treguan për Demorkacia.com se refuzuan të merrnin vaksinën “AstraZeneca”.
“Nuk e marrë AstraZeneca, na njoftuan që nuk ka Pfizer, unë astran [AstraZeneca] nuk e marrë”, tha një qytetare e cila dëshironte të mbetet anonim.
“Telefono në Ministrinë e Shëndetësisë dhe thuaj që e ke refuzu vaksinën “AstraZeneca” dhe po dua me marrë “Pfizer”, kështu më thanë ata brenda [ekipet e vaksinimit]”, thotë në kushte anonimiteti një qytetar.
Ndërsa një qytetare tregon se është vaksinuar më “AstraZeneca” edhe pse kishte dëshirë të merrte vaksinën “Pfizer”.
“Pfizer nuk paska, e mora AstraZeneca se të njëjtë e kanë efektin edhe ashtu nuk e di tani kur bojë termin”, tha një qytetare tjetër për Demokracia.com.
Kurse me vaksinën “Pfizer”, në sallën “1 Tetori” janë imunizuar vetëm qytetarët që kanë marrë dozën e dytë të vaksinës.
Në anën tjetër, një përgjigje me shkrim për Demokracia.com nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se në Kosovë ka doza të mjaftueshme të dy llojeve të vaksinave, duke shtuar se janë duke u dhënë edhe njëra edhe vaksina tjetër. Megjithatë MSH-ja nuk ka qartësuar pse atyre që shkuan sot për dozën e parë në “1 Tetori”, iu ofrua vetëm “AstraZeneca”.
Edhe pse vet Ministria e Shëndetësisë ditë më parë kishte thënë për Express se qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin vaksinën në rastet kur qendra e vaksinimit ka dy ose më shumë lloje të vaksinave në dispozicion kundër COVID-19. Ata në përgjigjen për Demokracia.com kanë inkurajuar qytetarët që të marrin cilëndo vaksinë që ju ofrohet në qendrat e vaksinimit.
“Në Kosovë ka doza të mjaftueshme të dy llojeve të vaksinave kundër COVID-19. Janë duke u dhënë edhe njëra edhe vaksina tjetër. MSh kërkon që të mos stigmatizohet asnjëra prej vaksinave, sepse Kosova është një nga vendet e rralla ne rajon që përdor vetëm vaksina te aprovuara nga EMA, prandaj inkurajohen qytetarët që të vaksinohen me cilëndo vaksine kundër COVID-19 që ju ofrohet në qendrat e vaksinimit në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Demokracia.com.
Ndërkohë para ardhjes së vaksinave “AstraZeneca”, nga Norvegjia, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se vaksinat “AstraZeneca”, të cilat kanë ardhura donacion nga Norvegjia disa prej tyre u kishte skaduar afati dhe disa kanë afat vetëm deri më 30 korrik.
“Dikush nga Qeveria e Kosovës duhet të përgjigjet për donacionin e vaksinave AstraZeneca të pranuara sot nga Norvegjia. Sa prej këtyre vaksinave AstraZeneca të pranuara donacion nga Norvegjia ju ka skaduar afati i përdorimit me datë 30 Qershor 2021 dhe sa prej tyre iu skadon me 30 Korrik 2021”, ka shkruar Haxhiu.
Mirëpo një gjë e tillë ishte mohuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e pranuara nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individë të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesën e respektit ndaj donatorit – shtetit të Norvegjisë”, thuhet në komunikatën e MSH-së.
Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë dhënë 13 mijë e 397 doza të vaksinës kundër COVID-19.
“Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 219 mijë e 885 doza të vaksinës. Deri më sot 52 mijë e 975 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se më 29 qershor në Kosovë kanë arritur kontingjenti i dytë i vaksinave “Pfizer”, që janë nga kontrata e lidhur mes Kosovës dhe kompanisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se kanë arritur sot 106 mijë e 470 doza të vaksinës së “Pfizerit”, ndërsa një ditë më parë kanë arritur 81 mijë e 900.
Ndërsa aktualisht në Kosovë qytetarët mund të imunizohen më vaksinën “AstraZeneca” dhe “Pfizer”./Demokracia.com/