Lajme
Tenderi 22 milionësh shkon dëm: Ministria e Shëndetësisë mbyll tenderin për QKUK-në pa asnjë kontratë
Demokracia
17:15 | 28 Maj 2025

Share:

Pas një viti e gjysmë vonesa, anulimesh e vendimesh kundërthënëse, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur ta anulojë tërësisht tenderin prej mbi 22 milionë eurosh për vazhdimin e ndërtimit të Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK. Ky vendim vjen gati gjashtë muaj pas një urdhri të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili kërkonte nga ministria që të rivlerësonte ofertat, por rezultati final mbeti i njëjtë, procesi dështoi dhe asnjë kontratë nuk u nënshkrua, shkruan Demokracia.com.

Në dhjetor të vitit 2024, Organit Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) urdhëroi Ministrinë e Shëndetësisë të rishqyrtojë tenderin për “Vazhdimin e Ndërtimit të Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK”, me një vlerë prej mbi 22 milionë euro. Paneli i OSHP konstatoi se Ministria kishte ne dispozicion për vlersim vetëm një ofertë, por edhe kjo ishte e pa përgjegjshme. Pas më shumë se 6 muajsh, duke kaluar të gjitha afatet ligjore, Ministria vendosi të anulojë krejt procesin e prokurimit.

 

Më 7 janar 2024, Ministria e Shëndetësisë në cilësinë e Autoritetit Kontraktues publikoi Njoftimin për Kontratë lidhur me prokurimin për “Vazhdimin e Ndërtimit të Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK”. Ministria zbatoi procedurën e hapur për këtë kontratë, me një vlerë parashikuar prej 22,513,201.67 euro.

Në tenderin e 22.5 milionë eurove për vazhdimin e projektit të ndërtimit të Qendrës Emergjente në QKUK, morën pjesë tetë grupe operatorësh, përfshirë kompani nga Turqia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore.

Kompanitë që aplikuan përfshijnë: “Raf II Shpk” nga Tirana me një ofertë në vlerë 20,999,999.62 euro, “Ada Consulting Group”, “SHM Achitecture”, “Vllezërit Asllani”, “Progeen” me një ofertë në vlerë 19,849,450.02 euro, “AK Invest Dooel” dhe “Hidro Project” nga Tetova me një ofertë në vlerë 21,989,734.33 euro, “Mabco Construction”, “AAG Project”, “IMK” me një ofertë në vlerë 22,238,586.22 euro, “BM Group SHPK” nga Prishtina me një ofertë në vlerë 19,943,163.85 euro, “Testkon Proses Degerli Madenler Finansal Danismanlik Tic” dhe “Fidola SHPK” nga Stambolli me një ofertë në vlerë 20,352,351.99 euro, “Standard Beton”, “Liv Global Yapi Insaat Taahhut ve Ticaret” me një ofertë në vlerë 20,877,369.67 euro, “Nika Pro-Ing”, “Pro & Co Group” dhe “Anion Mep Contracting” me një ofertë në vlerë 20,310,834.88 euro.

Me datën 2 prill 2024 është publikuar njoftimi për dhënien e kontratës, ku Autoriteti Kontraktues shpërbleu Operatorin Ekonomik “BM Group”.

Tenderi 22 milionë i Ministrisë së Vitisë, akuza për favorizim të biznesmenit Bedri Gllareva

Të pakënaqur me vendimin e Autoritetit Kontraktues, Operatori Ekonomik “Mabco Constructions” SH.P.K. me datën 5 prill 2024 ka dorëzuar një kërkesë për rishqyrtim, si dhe kërkesë për rishqyrtim ka paraqitur edhe Operatori Ekonomik “Ada Consulting Group” SH.P.K. Më pas, Operatori Ekonomik “NIKA PrO-Ing” SH.P.K. dhe Operatori Ekonomik “Invest Dooel” kanë paraqitur gjithashtu kërkesa për rishqyrtim. Autoriteti Kontraktues i ka refuzuar kërkesat për rishqyrtim të Operatorëve Ekonomikë të lartpërmendur, të cilët më pas i janë drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). OSHP ka gjetur se Ministria kishte vlerësuar tenderin në mënyrë të kundërligjshme dhe e ka urdhëruar Ministrinë ta rishqyrtojë.

Bazuar në të dhënat e E-prokurimit  më 21 nëntor 2024, Ministria ka publikuar Njoftimin për Vendimin B58 për anulimin e aktivitetit të prokurimit, duke konstatuar se asnjë kompani nuk përmbush kriteret.

Me datën 25 nëntor 2024, Operatori Ekonomik “Ada Consulting Group” SH.P.K. ka dorëzuar një kërkesë për rishqyrtim. Po ashtu, kërkesë për rishqyrtim kanë dorëzuar edhe Operatorët Ekonomikë “Mabco Constructions” SH.P.K., “AK Invest Dooel”, “BM Group” SH.P.K. dhe “Raf II” SH.P.K. Të gjithë kanë pretenduar se Ministria ka anuluar tenderin në mënyrë të kundërligjshme.

Me datën 9 dhjetor 2024, Autoriteti Kontraktues ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim të Operatorëve Ekonomikë dhe ata kanë drejtuar çështjen tek OSHP.

OSHP, që në dhjetor të vitit 2024 ka nxjerrë vendim duke hedhur poshtë pretendimet e kompanive, por ka miratuar pjesërisht ankesën e Operatorit Ekonomik “AK Invest Dooel” Tetovo & Hidro Project SH.P.K. Prandaj, ka urdhëruar Ministrinë ta rishqyrtojë në mënyrë të plotë ofertën e këtij konzorciumi. Megjithatë, eksperti ka konstatuar se edhe kjo ankesë duhet të miratohet pjesërisht dhe vendimi për anulimin e tenderit mbetet në fuqi.

Pasi kaluan rreth 6 muaj, Ministria ka publikuar vendimin për të anuluar tenderin në mënyrë të tretë dhe përfundimtare. /Demokracia.com/

Të ngjashme