Lajme
Ministri Peci po intervistohet nga Prokuroria Speciale si i dyshuar
Demokracia
17:30 | 27 Maj 2025

Share:

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është intervistuar për disa orë nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës.

Siç merr vesh KALLXO.com, ministri Peci është duke u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Sot gjatë ditës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës kreu bastisje në katër lokacione të ndryshme, përfshirë Ministrinë që drejton Faton Peci.

Prokurori special, Admir Shala, konfirmoi se kanë nisur hetimet në lidhje me dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Në një deklarim për media, prokurori Admir Shala dha detaje shkurt.

“Siç e dini, Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Hetimi është duke u zhvilluar në lidhje me dyshimet për dhënien me qira të kësaj fabrike” – tha Shala.

Sipas tij, bastisjet janë duke u kryer me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale dhe me autorizim të saj. Hetimet po udhëhiqen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, e cila është duke ndërmarrë veprime për mbledhjen e informatave të nevojshme për zbardhjen e rastit.

“Jemi në fazën e hetimeve, jemi duke i zhvilluar bastisjet dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake. Policia, së bashku me ne, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të sigurimit të informacioneve të nevojshme për zbardhjen e rastit konkret” – theksoi Shala.

Të ngjashme