Lajme
Ministrat në ikje të “Kurti 2” që u bën “mysafirë” të Prokurorisë Speciale
Demokracia
16:22 | 27 Maj 2025

Share:

Tashmë u bë e rrugës që ministrat e qeverisjes në ikje “Kurti 2” të intervistohen nga Prokuroria Speciale.

Të martën e 27 majit, Ministria e Bujqësisë pranoi “mysafirë” të drejtësisë.

Pas bastisjes që u krye atje, edhe ministri në detyrë, Faton Peci u intervistua nga Prokuroria Speciale.

“Po mund të ju konfirmojmë se është duke u intervistuar”, kanë thënë shkurt nga Prokuroria.

Kjo erdhi pas raportimit të Periskopit lidhur me skandalin me fabrikën me mbetjet shtazore që i ka kushtuar shtetit mbi 8 milionë euro, e që i është dhënë për shfrytëzim në mënyrë të dyshimtë një operatori ekonomik, i cili kishte hapur kompaninë pesë ditë pasi AUV-i kishte shpallur tenderin.

Nuk është Peci i vetmi minsitër i kësaj qeverisje që u intervistua nga Prokuroria Speciale.

Edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u intervistua nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 15.04.2024, në cilësinë e të dyshuarës në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro, raporton Periskopi.

Pikërisht për këtë, qe disa herë edhe vet kryeministri në detyrë, Albin Kurti është ftuar si dëshmitar për intervistim, por i njëjti nuk i ka respektuar organet e drejtësisë duke hezituar të paraqitet në Prokurori.

Në cilësinë e dëshmitares, vitin e kaluar u intervistua edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli lidhur me hetimet që rëndojnë mbi Nagip Krasniqin, ish-kryeshefin e KEK-ut.

Krasniqi i cili dikur ishte edhe anëtarë i VV-së edhe sot e kësaj dite del para gjykatës. Ai dyshohet për disa vepra penale si “‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Ushtrimi i ndikimit’ dhe ‘Konflikti i interesit’.

Krasniqi i cili u soll në krye të KEK nga VV-ja dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin e shtetit me miliona euro.

Ndërkohë hetime paten nisur nga Prokuroria Speciale edhe për ministrinë e Liburn Aliut rreth ambalazhuesve të ujit. Aliu dyshohet se ka lejuar, me qëllim përfitimi e për t’i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, që operatorëve ekonomik të u zvogëlohen borxhet. Më këtë sipas aktvendimit për zgjerimin e hetimeve, Ministri Aliu i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës miliona euro.

Të ngjashme