Ministrja në detyrë e Drejtësisë hedh poshtë çdo dyshim për ndërhyrje politike në dhënien e kontratës për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dalë në mbështetje të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, pas bastisjes së realizuar nga Policia e Kosovës rreth funksionalizimit të fabrikës së përpunimit të nënprodukteve shtazore, duke e cilësuar “plan” për të dëmtuar shefin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili synon të marrë sërish drejtimin e Qeverisë së Kosovës.
“Unë jam shumë e bindur që ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë kohës sa ka qenë në Ministrinë e Bujqësisë. Ai nuk ka asgjë për të fshehur… nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ministri Peci. Ai është shumë i hapur të bashkëpunojë për të zbardhur këtë plan për ta dëmtuar qeverinë Kurti”, ka deklaruar të martën Haxhiu.
Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës të kryejë bastisje në katër lokacione në Prishtinë nën dyshimet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, në lidhje me kontratën e Ministrisë së Bujqësisë për fabrikën e mbetjeve shtazore në Drenas.
Hulumtimi i “Kallxo” ka zbuluar një sërë parregullsish në procesin e dhënies së kontratës për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në bazë të hulumtimit, kontrata 20-vjeçare i është dhënë një kompanie të regjistruar vetëm pak ditë pas shpalljes së thirrjes nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Qeveria e Kosovës do ta subvencionojë kompaninë me 0.16 euro për trajtimin e çdo kilogrami të mbetjeve shtazore. Në bazë të planit të biznesit të kompanisë fituese është paraparë të përpunohen 5 milionë kilogramë mbetje në vit, që përkthehet në një subvencion vjetor prej 800 mijë eurosh nga buxheti apo 16 milionë për 20 vjet.