Lajme
Pëfundon bastisja në Ministrinë e Bujqësisë, konfiskohen dokumente
Demokracia
13:44 | 27 Maj 2025

Share:

Policia e Kosovës ka përfunduar aksionin e saj në Ministrinë e Bujqësisë ku u zhvilluan bastisje mbi dyshimet për fabrikën për mbetjet shtazore.

Gjatë bastisjes, janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme dokumentesh, të cilat pritet të analizohen për prova lidhur me procedurat e dyshuara të keqpërdorimit të fondeve publike.

Policia e Kosovës më herët ka konfirmuar aksionin e saj në Ministrinë e Bujqësisë ku po zhvillohen bastisje mbi dyshimet për fabrikën për mbetjet shtazore.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha për Gazetën Express zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai shtoi se pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, mund të bëhen publike informacione shtesë.

Po ashtu, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta,  tha se për detajet e këtij aksioni do të njoftohet më pas.

“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, tha ajo.

Foto Koha.net

 

 

Të ngjashme