Lajme
Rrena publike e ish-sindikalistit të RTK-së
Demokracia
08:29 | 27 Maj 2025

Share:

Fadil Hoxha, dikur sindikalist i zëshëm i RTK-së, tash këshilltar i U.D drejtorit të Përgjithshëm, Hysen Hundozi, të cilin e ka edhe mik të ngushtë, ka bërë rrenë publike në rrjetin e tij social Facebook.

Hoxha ka pretenduar se ish-deputeti Visar Korenica ka kërkuar qasje në të gjitha pagat, përderisa ka thënë se gazeta Nacionale ka kërkuar në RTK kontratën e tij.

“Bashke me Visarin qasje ne kontraten time te punes kishin kerkuar edhe disa portale si “Nacionale” etj. Jo vetem Visari e “Nacionale” por secili qytetar qe do qasje ne cfaredo dokumenti ne RTK ka per ta realizuar ne afat rekord. 15 vjet kam bere lufte qe ne RTK asgje te mos jete sekrete dhe e paqasshme per publikun”, ka shkruar Fadil Hoxha në rrjete sociale.

Megjithatë, kjo është e pavërtetë.

Nacionale ditë më parë kishte dërguar pyetje zyrtare me shkrim në adresën e U.D drejtorit të RTK-së, shokut të Fadil Hoxhës, Hysen Hundozit.

Pyetjet u nisën para 13 ditësh, dhe transparenca për të cilën flet Fadil Hoxha, nuk u respektua. Pyetjet u përsëritën sërish para 8 ditësh, dhe sërish nuk pati transparencë. Pas kësaj, Nacionale zgjodhi të bëjë kërkesë për qasje në dokumente publike.

Megjithatë, edhe kërkesa nuk është për ta siguruar kontratën e Fadil Hoxhës, kryesindikalistit të zëshëm dikur, e tash të heshtur.

Nacionale kërkoi veç një gjë nga U.D Drejtori i RTK-së: bazën ligjore, vendimin, me të cilin e kishte emëruar Fadil Hoxhën këshilltar. Pra, as kontratë, as paga, por bazën ligjore të vendimit.

Për dëshmi, Nacionale do t’i publikojë edhe me ‘screen’ të gjitha pyetjet që i ka dërguar, të cilat demantojnë këshilltarin e U.D drejtorit, një pozitë e cila nuk dihet a ekiston me ligjet, rregulloret e RTK-së.

“Përshëndetje i nderuar. Gazeta Nacionale ka disa pyetje për juve, duke shpresuar që nuk iu pengojmë. A mund të na tregoni mbi çfarë baze po e vazhdoni punën si U.D drejtor i Përgjithshëm në RTK, duke ditur se mandati 6-mujor ka përfunduar më 30 prill? A keni marrë ndonjë vendim nga Bordi për zgjatjen e mandatit tuaj, apo ndonjë vendim të ngjashëm? Ku e keni bazuar vendimin tuaj për ta bërë Fadil Hoxhën si një këshilltar tuajin, dhe i cili mund të koordinojë aktivitete në gjithë RTK-në? Mbi çfarë baze ligjore është mbështetur ky emërim, neni dhe ligji i saktë, apo në cilën rregullore të RTK-së?”, thuhet në Emailin e Nacionales, të cilin mund ta shihni më poshtë.

Pra, Nacionale nuk ka bërë kërkesë për ta siguruar kontratën e Hoxhës, por bazën ligjore të vendimit.

Megjithatë, me ardhjen në krye të televizionit në RTK të Rilind Gërvallës, ish-anëtarit të VV-së, situata për Hoxhën veç sa shkonte duke u përmirësuar.

Ai nuk e foli asnjë fjalë për lajmin e rrejshëm të RTK-së që akuzonte dy media të Kosovës se financohen nga Serbia. E kjo, iu shpërblye. Bordi i RTK-së e emëroi shokun e tij, Hysen Hundozin, në pozitën e drejtorit të përgjithshëm.

E Hundozi, me t’u rehatuar, e bëri këshilltar shokun e tij.

Nacionale raportoi javën e kaluar se Bordi i RTK-së ia ka vazhduar jashtëligjshëm vendimin Hysen Hundozit për të mbetur U.D drejtor.

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ia ka vazhduar vendimin për U.D drejtor, Hysen Hundozit.

Kjo ka ndodhur pavarësisht se Bordi i RTK-së, aktualisht është pa kuorumin e nevojshëm.

Në një përgjigje për Nacionalen, anëtari i Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, ka bërë të ditur se njohja e vendimit për vazhdimin e punës për U.D drejtorin, është bërë si rezultat i situatës së jashtëzakonshme.

“Në të tilla rrethana në kuadër të situatës të jashtëzakonshme, i justifikuar nga nevoja për te mos nderprerë funksionimin jetik të institucionit, bazuar në nevojën për garantimin e veprimeve të nevojshme dhe domosdoshme, si dhe për të shmangur vakumin juridik dhe dëmin e menjehershëm dhe më të madh, duke qenë i kufizuar vetëm në natyrën e kompetencave dhe në kohë të caktuar, vetëm deri në eliminimin e pengesave, në përputhje me qëllimin e Ligjit të RTK-së dhe nenin 43 të Statutit të RTK-së, funksionimin e pandërprerë dhe vazhdimësinë e institucionit, veprimin konform interesit të publikut dhe shmangien e dëmit të menjehershëm dhe më të madh, parimin e ligjshmërisë, parimin e proporcionalitetit dhe parimin e përmbushjes së shërbimeve publike të interesit të përgjithshëm për të siguruar vazhdimësinë, domosdoshmërisht kemi njohur vazhdimin e Vendimit të fundit përzgjedhës për ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm aktual për veprim të përkohshem për të garantuar funksionimin bazik të RTK-së në kuadër të situatës së jashtëzakonshme dhe emergjente”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Vendimin ata e kanë arsyetuar me vakumin juridik e situatën në të cilën ndodhet edhe Kuvendi i Kosovës.

“Ky nuk përbën veprim dhe vendim të rregullt të Bordit, por veprim emergjente ne kuader te situates se jashtëzakonshme duke qenë i kufizuar në kohë dhe përmbajtje, për të lejuar vazhdimin e një funksioni të mëparshëm, pa krijuar mandat të ri dhe bazuar në nevojën për garantimin e veprimeve të nevojshme dhe domosdoshme, si dhe për të shmangur vakumin juridik, duke qenë i kufizuar vetëm në natyrën e kompetencave dhe në kohë të caktuar, vetëm deri në eliminimin e pengesave, me dhe për qëllim të mbrojtjes se funksionimit të pandërprerë te institucionit dhe garantimin e stabilitetit të RTK-së, si një prej hallkave kryesore të informimit publik në vend”, thuhet në përgjigjen e Bordit të RTK-së për Nacionalen.

“RTK-ja ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme. Ndonëse pakot e nominimit për anëtarë të Bordit janë hapur me kohë dhe janë proceduar në Kuvend të Republikës në përputhje me ligjin për RTK-në, Kuvendi nuk ka emëruar anëtarët e rinj të Bordit duke prodhuar një situatë të jashtëzakonshme që është jashtë kontrollit tonë si institucion. Kjo situate e jashtëzakonshme ka prodhuar jo vetem vakum institucional drejtues por edhe vakum ligjor”, kanë thënë nga Bordi i RTK-së.

“Me këtë veprim janë perfillur te gjitha ligjet perkatese, duke qenë se Ligji për Radiotelevizionin e Kosovës si ligi i vecante, nuk ka paraparë zgjidhje per situata kur Bordi eshte jofunksional dhe ku RTK po operon në një vakum ligjor, në këtë rast në marrjen e veprimeve emergjente janë aplikuar parimet e përgjithshme te Ligji per Procedurën e Përgjithshme Administrative, për te siguruar funksionimin minimal të institucionit, andaj kjo perbën zbatim të zgjeruar të ligjit, duke u mbështetur në një zgjidhje emergjente në kuadër të situatës së jashtëzkonshme”, bën të ditur përgjigja.

Bordi ka përmendur rëndësinë jetike që ka Televizioni Publik, sipas tyre, për informimin e drejtë. Pavarësisht, se intervista e fundit e Kurtit në këtë televizion, u kritikua ashpër si puro promovuse për kryeministrin në detyrë.

“Kësisoj RTK-ja si transmentues i vetëm publik në Republikën e Kosovës, me rëndësi të posaçme, i cili i ofron shërbim publikut në fushën e veprimtarisë mediale, ka për detyrë të sigurojë funksionet minimale dhe të pandërprera, për të mos cënuar interesin publik, garantimin e parimit të sigurisë juridike dhe respektimin e së drejtës kushtetuese për informim. Në këtë kontekst, ndërprerja e veprimtarisë të RTK-së do të ketë pasoja juridike, rrjedhimisht vazhdimësia institucionale është vitale në përmbushje të plotë të misionit dhe qëllimit të përcaktuar në Ligjin për RTK-në”, thuhet në përgjigje.

Kujtojmë se në pozitën e U.D drejtorit është përzgjedhur, gjithashtu me dilema të mëdha ligjore, Hysen Hundozi.

Ky i fundit është miku më i afërt i Fadil Hoxhës, ish-kryesindikalistit të zëshëm të RTK-së. Hoxha është mik me Rilind Gërvallën, drejtorin e televizionit, ish-anëtarin e VV-së.

Me një mbledhje në errësirën e mbrëmjes, pa asnjë paralajmërim, pa transparencë, Bordi i RTK-së ndryshoi Statutin e Televizionit Publik. Krejt kjo për ta emëruar një ushtrues detyre të drejtorit, duke e arsyetuar me situatën e rëndë që ndodhet RTK-ja.

Të ngjashme