Lajme
Incidenti i së premtes në veri, policia thërret konferencë për media
Demokracia
15:24 | 25 Maj 2025

Share:

Policia e Kosovës do të mbajë sot një konferencë për media lidhur me veprimet policore me 23 maj në Mitrovicë të Veriut.

Policia paralajmëroi se në këtë konferencë do ta marrë pjesë: drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Konferenca do të nisë nga ora 15:00 në stacionin policor qendër në Prishtinë.

Një manifestim i maturantëve të komunitetit serb në veri shkaktoi incidente meqë pati provokime e thirrje të tilla si “Kosova është zemra e Serbisë”.

Policia e Kosovës ka ndërhyrë me kërkesën për të mos provokuar në mënyrë që të mos ketë eskalime.

Ministri në detyrë i Brenshëm, Xhelal Sveçla, ka akuzuar për propagandë serbe lidhur me këtë rast.

Sveçla tha se kërkesa e zyrtarëve policorë për të mos provokuar po prezantohet si dhunë, ndërsa një veprim të një polici që shihet duke i kërkuar një të riu të mos provokojë po e paraqesin si ngufatje.

“Ja si duket propaganda serbe: Kërkesën e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët në mënyrë që situata mos të eskalojë ata e quajnë dhunë dhe vendosjen e dorës e quajnë ngufatje. Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë, kurse ngjyrën e kuqe me të cilën ata kanë ngjyrosur figura të ndryshme në trup tentojnë ta paraqesin si gjak. Asgjë e re nga ta!”, tha ai.

Ndërkohë, autoritetet serbe kanë lëshuar fletarrestim të shtunën për një pjesëtar të Policisë së Kosovës, në lidhje me një incident me maturantë një ditë më parë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Daçiq tha në një njoftim se “polici i Kosovës Dylot Brahimi do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për policinë serbe, pa parashkrim, sa herë që kjo të jetë e mundur”.

Të ngjashme