Aktorja britanike, Rosamund Pike, e njohur për rolet në “Gone Girl” dhe “Die Another Day”, ka zbuluar se ka rënë viktimë e një grabitjeje të dhunshme në Londër.
46-vjeçarja tregoi se u godit me grusht në fytyrë nga një djalë me biçikletë që më pas i rrëmbeu telefonin ndërsa ajo fliste me nënën e saj.
“Bërtita nga tmerri dhe nëna ime dëgjoi vetëm zhurmën dhe bërtimën time përpara se telefoni të fikej”, tha ajo për Magic Radio, shkruan DailyMail.
Ngjarja e frikshme është pjesë e një vale në rritje të vjedhjeve të dhunshme të telefonave në Londër, shpesh të kryera nga persona me biçikleta ose motoçikleta elektrike.
Përveç Pike, edhe figura të tjera publike si Annabel Croft dhe Kym Marsh kanë rrëfyer përvoja të ngjashme.
Londra raporton një telefon të vjedhur çdo gjashtë minuta, me më shumë se 70,000 raste në vitin 2023. Zonat më të prekura përfshijnë Westminster, Camden, dhe Southwark.
Autoritetet kanë nisur një seri operacionesh për të luftuar këtë krim, duke përdorur kamera sigurie, njësi të trafikut dhe ekipe të ndërhyrjes së shpejtë, që kanë sjellë një rënie 43% të vjedhjeve në fund të vitit të kaluar.
Megjithatë, zyrtarët paralajmërojnë se lufta kundër këtij fenomeni nuk ka mbaruar.