Lionel Messi vazhdon të dhurojë spektakël në elitën e futbollit amerikan MLS.
Ylli argjentinas realizoi një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë në barazimin dramatik 3-3 mes Inter Miami dhe Philadelphia Union.
Vendasit e Philadelphia Union ishin në dy raste në avantazh prej dy golave 2-0 dhe 3-1, por Inter Miami në fund barazuan rezultatin.
Ishte minuta e 87-të e ndeshjes, kur Messi realizoi një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë për të rikthyer shpresën tek skuadra e tij.
E në frymën e fundit të ndeshjes, mesfushori ekuadorian Segovia realizoi një tjetër gol të bukur për rezultatin përfundimtar 3-3.
37-vjeçari Messi tani ka arritur në kuotën e pesë golave dhe dy asistimeve në 10 ndeshje këtë edicion në MLS, derisa ka edhe pesë gola të tjerë dhe një asistim në Concacaf Champions Cup.