Lajme
Debati në Bundestag për Kosovën, dikush kërkoi zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, dikush anëtarësimin në KiE
Demokracia
22:50 | 24 Maj 2025

Share:

Në një debat të mbajtur në Bundestagun gjerman, Kosova ishte ndër temat e diskutuara, ku u theksua rëndësia e zbatimit të marrëveshjeve të arritura me Serbinë dhe përkrahja për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.

Ministri i Shtetit për Çështje të Jashtme të Gjermanisë, Florian Hahn, theksoi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i paqëndrueshëm, ku edhe shtroi pyetje se “Çfarë sinjali do të ishte nëse Gjermania, si vendi më i madh i BE-së, do të tërhiqej nga Kosova,” deklaroi Hahn.

Ai kujtoi rëndësinë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2023, me mbështetjen aktive të Francës dhe Gjermanisë. Sipas tij, kjo marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve përmban detyrime të qarta për të dyja palët.

“Qytetarët në të dy anët e kufirit presin me të drejtë që këto marrëveshje të zbatohen,” tha ai, duke shtuar se mbështetja për rrugën evropiane të rajonit varet nga vullneti për reforma dhe përkushtimi i vetë udhëheqësve politikë.

“Por vullneti për ndryshim duhet të vijë nga vetë vendet nga qytetarët dhe nga udhëheqësit politikë, nëse ky vullnet ekziston atëherë mund të llogarisin në mbështetjen tonë”, përfundon ai.

Në të njëjtin debat, deputeti i CDU-së, Volker Mayer-Lay, kritikoi hapur presidentin serb Aleksandër Vuçiq, duke e akuzuar për një qëndrim të dyfishtë ndaj procesit të normalizimit.

“Presidenti Vuçiq flet me BE-në për normalizim, por në të njëjtën kohë toleron forcat nacionaliste në vend, shpesh nën duartrokitjet e Moskës,” theksoi Mayer-Lay.

Kosova u përmend gjithashtu edhe në debatin që shënoi 75-vjetorin e anëtarësimit të Gjermanisë në Këshillin e Evropës. Deputeti kristiandemokrat, Knut Abraham, shfrytëzoi fjalën e tij për të kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, raporton DW, transmeton Gazeta Express.

“Demokracia më e re evropiane, sipas shumicës dërrmuese në Asamblenë Parlamentare, i ka përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Tani është në dorë të qeverive të marrin një vendim përfundimtar,” u shpreh Abraham, duke i bërë thirrje qeverisë gjermane të veprojë në këtë drejtim.

Të ngjashme