Lajme
Ish-oficeri izraelit tha se ushtria po i vret fëmijët për qejfi në Gaza, merren masat ndaj tij
Demokracia
08:55 | 24 Maj 2025

Share:

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka komentuar deklaratat e ish-zëvendësshefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Yair Golan, i cili kritikoi qeverinë aktuale, dhe ka paralajmëruar sanksione të ashpra ndaj tij.

Sipas Katz, Yair Golan do të ndalohet përgjithmonë të shërbejë në rezervën e ushtrisë izraelite.

Gjithashtu, atij i ndalohet të veshë uniformën ushtarake izraelite dhe t’i hyjë bazave ushtarake.

“Deklaratat e tij janë shpifje e rëndë. Këto deklarata mund të përdoren nga armiqtë e Izraelit për të nisur procedura ligjore kundër personelit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në gjykatat ndërkombëtare”, tha Katz.

Ai shtoi se Golan nuk ka më vend në IDF, “nuk ka vend për njerëz si Golan në jetën publike”.

Kujtojmë se Golan kritikoi ashpër qeverinë aktuale të Izraelit, duke thënë se ajo po vret fëmijët e Gazës për hobi.

“Izraeli është në rrugën për t’u bërë një shtet i izoluar, si Afrika e Jugut dikur, nëse nuk kthehemi të sillemi si një shtet i arsyeshëm. Një shtet i arsyeshëm nuk lufton kundër civilëve, nuk vret fëmijë për qejf dhe nuk ka për qëllim dëbimin e popullsisë,” tha Golan.

Ai theksoi se me këtë qasje po rrezikohet siguria dhe mbijetesa e Izraelit.

“Kjo qeveri është plot me njerëz hakmarrës, pa moral dhe pa aftësi për të drejtuar shtetin në kohë krize. Kjo e rrezikon ekzistencën tonë,” përfundoi Golan. /Telegrafi/

 

Të ngjashme