Lajme
Prishtina e mbeturinave: Kompania private nuk ia lë shenjë, kamionët i mbesin në rrugë (Foto/Video)
Demokracia
19:17 | 23 Maj 2025

Share:

Kryeqyteti është kthyer në një grumbull plehrash të shpërndara në çdo cep, si një pasojë direkte e një zinxhiri ngjarjesh që nisë me një thirrje publike të 17 Prillit të Komunës së Prishtinës për pagesën e mbeturinave.

Në dukje një problem administrativ, por që sot po rezulton të jetë katalizatori i një krize që ka kapluar qytetin.

Në njërën anë, ndërmarrja publike “Pastrimi” ka hyrë në grevë që nga mëngjesi i ditës së djeshme për shkak të mospagesës së shërbimit.

Kurse, kompanitë private që janë tenderuar “përngut” nga Drejtoria e Shërbimeve Publike të cilën e drejton Bekim Brestovci, po përpiqen ta mbushin boshllëkun që ka lënë “Pastrimi”.  Por, përpjekja e tyre duke punuar 24 orë është e pamjaftueshme.

Prishtina sot është më e ndotur se kurrë, shkruan Demokracia.com.

Në pamje të parë, menaxhimi i mbeturinave në një qytet si Prishtina mund të duket si një sfidë e thjeshtë teknike. Megjithatë, realiteti është shumë më kompleks.

Prapa emrit “Pastrimi”, qëndron një përvojë 70-vjeçare, një sistem i konsoliduar dhe një motor operativ-strategjik që ka përballuar me sukses edhe kohëra kur plehrat hiqeshin me traktorë apo kuaj e qerre.

Tani, kamionët e kompanive private që po punojnë 24 orë pa ndalesë, po dështojnë t’i dalin zot kësaj pune. Në disa pamje të siguruar, ata po shihen se si po prishen në rrugë, një nga një, nuk po ia lënë as shenjë Kryeqytetit.

Qyteti  tashmë po jep shenja alarmi.  Jo vetëm për plehrat në rrugë, por për mënyrën se si po menaxhohet një krizë thelbësore urbane.

Prishtina ka nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme, jo për vendime që favorizojnë “dosta” me kontrata afatshkurta, që lënë qytetin në mëshirë të erërave të këqia dhe mbeturinave.

Gjatë ditës së sotme sindikata “Punëtori” e Kompanisë Rajonale të Mirëmbajtjes “Pastrimi” ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk ka ofruar asnjë zgjidhje konkrete për kërkesat e tyre, në një takim që kanë mbajtur të premten.

Përderisa Komuna e Prishtinës në një njoftim gjatë ditës u shpreh se një prej kërkesave të punëtorëve – ajo për kontratën për menaxhim të mbeturinave sipërfaqësore, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh tashmë është nënshkruar – kjo sindikatë ka thënë se ajo nuk përbën zgjidhje. /Demokracia.com/.

Sindikata e punëtorëve të “Pastrimit”: Komuna nuk ofroi zgjidhje për kërkesat tona

Ndërsa Prishtina përballet me një nga krizat më të rënda të menaxhimit të mbeturinave, kryetari i komunës, Përparim Rama, është larguar për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë pjesë në një meshë kishtare.

Prishtina me bërllok deri në fyt, Përparim Rama shkon në Amerikë për meshë

 

Të ngjashme