Lajme
Nga tenderët në Prishtinë, tash në dy karrige drejtorësh: Rruga e Bekim Brestovcit brenda komunës
Demokracia
23:02 | 22 Maj 2025

Share:

Bekim Brestovci, drejtori që aktualisht udhëheq dy pozita njëkohësisht në Komunën e Prishtinës, atë të Inspektoratit dhe të Shërbimeve Publike nuk është i panjohur për sektorin publik. Përpara se të emërohej në këto pozita me ndikim, ai kishte përfituar tenderë në kryeqytet përmes kompanive të lidhura familjarisht, shkruan Demokracia.com.

Kompania “AB Dienstleistung Gmbh” është regjistruar që në vitin 2008 në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, ku si person i autorizuar figuron Albulena Brestovci – motra e Bekimit, ndërsa vetë ai është i regjistruar si drejtor menaxhues. Kjo kompani rezulton të jetë pronë 100% e kompanisë “Dienstleistung Gmbh”, e regjistruar në Gjermani, ku drejtor menaxhes është Bekim Brestovci.

Demokracia.com ka gjetur se “AB Dienstleistung Gmbh”, në vitin 2010 është shpërblyer nga Komuna e Prishtinës me tenderin “Mirëmbajtja e objekteve të Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë”, që peshon mbi 16 mijë euro.

Ndërkohë, kompania tjetër N.T.SH. “AB – Clean”, e regjistruar në vitin 2014 po ashtu në emër të Albulena Brestovcit, ka për aktivitet “pastrimin e përgjithshëm të ndërtesave”. Kjo kompani ishte shpërblyer nga Komuna e Prishtinës me një tender në vitin 2018 për “Mirëmbajtjen dhe pastrimin e objektit të ri komunal dhe disa institucioneve të tjera komunale”, me një kontratë në vlerë prej 105,552.00 euro.

Pas prishjes së koalicionit qeverisës në nivel komunal, kryetari Përparim Rama e emëroi Brestovcin në pozitën e Drejtorit të Shërbimeve Publike, një figurë që deri atëherë njihej më shumë si biznesmen sesa si zyrtar publik. Sot, Rama dhe Brestovci janë përfshirë në përpjekjet për të privatizuar menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë.

Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), Brestovci është aksionar në tri kompani dhe anëtar bordi në dy të tjera. Për më tepër, në tri kompanitë ku është aksionar, ai ka raportuar se është edhe menaxher, gjë që përbën një shkelje të mundshme të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Sipas nenit 13, paragrafi 1 dhe nenit 14, paragrafi 1 të këtij ligji, zyrtarët e lartë nuk mund të jenë menaxherë ose anëtarë bordesh në persona juridikë privatë me përfitim financiar.

Angazhimi i tij në sektorin e mbeturinave nuk është rastësor. Para dy vitesh, Brestovci ka qenë aksionar në kompaninë publike KRM “Pastrimi”, gjë që dëshmon për përfshirjen dhe interesin e tij të hershëm në këtë fushë.

Ndër kompanitë më të mëdha dhe më aktive të tij është “B&D Verwaltungsgesellschaft mbH”, ku Brestovci ka deklaruar se është bashkëpronar me 50% të aksioneve. Kjo kompani është e regjistruar në regjistrin tregtar pranë Gjykatës së Qarkut në Aschaffenburg të Gjermanisë, me numër regjistrimi HRB 11505. Menaxherët e deklaruar të kompanisë janë vetë Bekim Brestovci dhe Daniel Dauber.

Në një komunë ku ndarja mes interesit publik dhe atij privat shpesh është më shumë çështje formaliteti sesa morali, rasti i Bekim Brestovcit është vetëm një ilustrim se si “përvoja” me tenderë mund të shndërrohet në kualifikim për dy pozita drejtorësh. /Demokracia.com/

Të ngjashme