Lajme
Bordi i RTK-së ia vazhdon kundërligjshëm mandatin U.D drejtorit
Demokracia
20:09 | 22 Maj 2025

Share:

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ia ka vazhduar vendimin për U.D drejtor, Hysen Hundozit.

Kjo ka ndodhur pavarësisht se Bordi i RTK-së, aktualisht është pa kuorumin e nevojshëm.

Në një përgjigje për Nacionalen, anëtari i Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, ka bërë të ditur se njohja e vendimit për vazhdimin e punës për U.D drejtorin, është bërë si rezultat i situatës së jashtëzakonshme.

“Në të tilla rrethana në kuadër të situatës të jashtëzakonshme, i justifikuar nga nevoja për te mos nderprerë funksionimin jetik të institucionit, bazuar në nevojën për garantimin e veprimeve të nevojshme dhe domosdoshme, si dhe për të shmangur vakumin juridik dhe dëmin e menjehershëm dhe më të madh, duke qenë i kufizuar vetëm në natyrën e kompetencave dhe në kohë të caktuar, vetëm deri në eliminimin e pengesave, në përputhje me qëllimin e Ligjit të RTK-së dhe nenin 43 të Statutit të RTK-së, funksionimin e pandërprerë dhe vazhdimësinë e institucionit, veprimin konform interesit të publikut dhe shmangien e dëmit të menjehershëm dhe më të madh, parimin e ligjshmërisë, parimin e proporcionalitetit dhe parimin e përmbushjes së shërbimeve publike të interesit të përgjithshëm për të siguruar vazhdimësinë, domosdoshmërisht kemi njohur vazhdimin e Vendimit të fundit përzgjedhës për ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm aktual për veprim të përkohshem për të garantuar funksionimin bazik të RTK-së në kuadër të situatës së jashtëzakonshme dhe emergjente”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Vendimin ata e kanë arsyetuar me vakumin juridik e situatën në të cilën ndodhet edhe Kuvendi i Kosovës.

“Ky nuk përbën veprim dhe vendim të rregullt të Bordit, por veprim emergjente ne kuader te situates se jashtëzakonshme duke qenë i kufizuar në kohë dhe përmbajtje, për të lejuar vazhdimin e një funksioni të mëparshëm, pa krijuar mandat të ri dhe bazuar në nevojën për garantimin e veprimeve të nevojshme dhe domosdoshme, si dhe për të shmangur vakumin juridik, duke qenë i kufizuar vetëm në natyrën e kompetencave dhe në kohë të caktuar, vetëm deri në eliminimin e pengesave, me dhe për qëllim të mbrojtjes se funksionimit të pandërprerë te institucionit dhe garantimin e stabilitetit të RTK-së, si një prej hallkave kryesore të informimit publik në vend”, thuhet në përgjigjen e Bordit të RTK-së për Nacionalen.

“RTK-ja ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme. Ndonëse pakot e nominimit për anëtarë të Bordit janë hapur me kohë dhe janë proceduar në Kuvend të Republikës në përputhje me ligjin për RTK-në, Kuvendi nuk ka emëruar anëtarët e rinj të Bordit duke prodhuar një situatë të jashtëzakonshme që është jashtë kontrollit tonë si institucion. Kjo situate e jashtëzakonshme ka prodhuar jo vetem vakum institucional drejtues por edhe vakum ligjor”, kanë thënë nga Bordi i RTK-së.

“Me këtë veprim janë perfillur te gjitha ligjet perkatese, duke qenë se Ligji për Radiotelevizionin e Kosovës si ligi i vecante, nuk ka paraparë zgjidhje per situata kur Bordi eshte jofunksional dhe ku RTK po operon në një vakum ligjor, në këtë rast në marrjen e veprimeve emergjente janë aplikuar parimet e përgjithshme te Ligji per Procedurën e Përgjithshme Administrative, për te siguruar funksionimin minimal të institucionit, andaj kjo perbën zbatim të zgjeruar të ligjit, duke u mbështetur në një zgjidhje emergjente në kuadër të situatës së jashtëzkonshme”, bën të ditur përgjigja.

Bordi ka përmendur rëndësinë jetike që ka Televizioni Publik, sipas tyre, për informimin e drejtë. Pavarësisht, se intervista e fundit e Kurtit në këtë televizion, u kritikua ashpër si puro promovuse për kryeministrin në detyrë.

“Kësisoj RTK-ja si transmentues i vetëm publik në Republikën e Kosovës, me rëndësi të posaçme, i cili i ofron shërbim publikut në fushën e veprimtarisë mediale, ka për detyrë të sigurojë funksionet minimale dhe të pandërprera, për të mos cënuar interesin publik, garantimin e parimit të sigurisë juridike dhe respektimin e së drejtës kushtetuese për informim. Në këtë kontekst, ndërprerja e veprimtarisë të RTK-së do të ketë pasoja juridike, rrjedhimisht vazhdimësia institucionale është vitale në përmbushje të plotë të misionit dhe qëllimit të përcaktuar në Ligjin për RTK-në”, thuhet në përgjigje.

Kujtojmë se në pozitën e U.D drejtorit është përzgjedhur, gjithashtu me dilema të mëdha ligjore, Hysen Hundozi.

Ky i fundit është miku më i afërt i Fadil Hoxhës, ish-kryesindikalistit të zëshëm të RTK-së. Hoxha është mik me Rilind Gërvallën, drejtorin e televizionit, ish-anëtarin e VV-së.

Me një mbledhje në errësirën e mbrëmjes, pa asnjë paralajmërim, pa transparencë, Bordi i RTK-së ndryshoi Statutin e Televizionit Publik. Krejt kjo për ta emëruar një ushtrues detyre të drejtorit, duke e arsyetuar me situatën e rëndë që ndodhet RTK-ja.

Në këtë pozitë u emërua Hysen Hundozi, një emër pak i njohur në skenën mediale në Kosovë. Megjithatë, Hundozi pavarësisht që nuk njihet fort, ka raporte të ngushta miqësore me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Fadil Hoxhën.

‘Sindikalisti’ i zëshëm që i shante të gjithë në RTK gjatë qeverisjeve të kaluara, shante edhe ish-drejtorin Shkumbin Ahmetxhekaj. Megjithatë, asnjëherë në kohët e fundit, Fadil Hoxha nuk e çeli gojën për skandalet ku ishte i përfshirë Drejtori i Televizionit në RTK, Rilind Gërvalla. Nuk e çeli gojën as për skandalin me lajmin e rrejshëm të Slobodna Bosnës, ku dy media u akuzuan se paguhen nga Serbia.

Gazeta Nacionale kohëve të fundit ka pranuar informacione se Fadil Hoxha ka raporte tejet të afërta me ish-aktivistin e VV-së, drejtorin Rilind Gërvalla. Burimet i kanë thënë Nacionales se për të gjitha zhvillimet e fundit, ata kanë mbajtur kontakte të afërta. Megjithatë, këtë gazeta nuk ka arritur ta konfirmojë. Por, rezultati tashmë është ky; Hoxha këshilltar i Hundozit.

Nacionale për këtë temë ka dërguar pyetje në adresën e Sindikatës së RTK-së e cila udhëhiqet nga Fadil Hoxha, por siç kanë bërë muajt e fundit, ata zgjodhën heshtjen.

Këto raporte të mira mes Hoxhës e Gërvallës, duket se çuan në emërimin e Hysen Hundozit si U.D Drejtor në Radiotelevizionin e Kosovës. Kjo duke ndryshuar statutin, dhe me vetëm 6 vota për ai u përzgjodh si ushtrues i detyrës.

“Bordi si organ kolegjial dhe mbikëqyrës me qëllim të zhbllokimit të krizës si mundësi e vetme, ka vendosur për plotësimin e rregullores nr. 22/24 për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK dhe Statutin nr. 1/22, duke rregulluar procesin e votimit të Ushtruesit të detyrës së Drejtorit të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë votash. Me këtë rast, Bordi i RTK-së emëroi edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, z. Hysen Hudozi, i cili punon në RTK që nga viti 2002 dhe ka pasur pozita të ndryshme menaxhuese dhe profesionale”, thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.

Siç i kanë thënë burimet Nacionales, emërimi i Hundozit ka ardhur me urdhër nga lartë. Kjo duke aluduar në partinë në pushtet.

“Emri i këtij personi ka ardhur direkt me urdhër nga lartë. Anëtarët e Bordit që i ka emëruar VV-ja veç e kanë zbatuar”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti.

Sipas Ligjit për RTK-në dhe Statutit të kaluara, para ndryshimeve, për votimin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së duhet të votojnë pro 2/3 nga 11 anëtarë. Që i bie, të paktën 7 vota për. Në këtë rast, miku i sindikalistit Hoxha, u zgjodh me 6 vota. Duke e ditur se po bëjnë shkelje ligjore, Bordi fillimisht ndryshoi Statutin.

Megjithatë, kjo nuk është një situatë krejt e panjohur në RTK. Kur Ngadhnjim Kastrati ishte zgjedhur drejtor me 6 vota, Fadil Hoxha me Sindikatën e tij nuk kishin lërë akuzë pa bërë, e veprim pa ndërmarrë. Ata theksonin se zgjedhja e Kastratit ishte bërë në kundërshtim me ligjin.

“Drejtori gjeneral është zgjedhur me 6 vota. Shkelja është e matshme dhe e argumentueshme. Ne kemi shku, kemi alarmu, ne paguhemi me mbrojtë ligjshmërinë e po bëjmë shkelje të ligjit. Nuk ka kanë lënë me monitoru dhe kur e kemi pa që brenda s’po mundemi me bo kurrgjë ju kemi drejtuar Kuvendit, kryetar i Komisionit për media ka qenë Nait Hasani dhe i kemi thanë: Ndaleni këtë gabim! mirëpo ai ka thënë që Kuvendi nuk e trajton” , deklaronte Fadil Hoxha në Kallxo.com

Për ndërhyrjet në RTK ka alarmuar edhe Raporti i Progresit. Në këtë të fundit, përmendej edhe skandali i RTK-së me lajmin e rrejshëm të Slobodna Bosnas.

Të ngjashme