Lajme
Izraeli shpërthen ndaj Europës pas sulmit në Uashington, akuzon për “nxitje antisemitike”
Demokracia
14:30 | 22 Maj 2025

Share:

Pas vrasjes së dy punonjësve të ambasadës izraelite në Uashington, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka akuzuar “disa zyrtarë europianë” të paidentifikuar për “nxitje toksike antisemitike”, duke fajësuar kështu për krijim të një klime armiqësore.

Sipas Reuters, Saar nuk ka përmendur emra shtetesh apo zyrtarësh, por ka thënë se klima e armiqësisë ndaj Izraelit që është krijuar që prej sulmit të Hamasit në tetor 2023 ka kontribuar drejtpërdrejt në sulmin ndaj stafit të ambasadës – Yaron Lischinsky dhe Sarah Lynn Milgrim, të cilët u qëlluan për vdekje jashtë një muzeu hebraik në Uashington, të mërkurën.

“Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes nxitjes antisemitike dhe anti-izraelite dhe këtij akti vrasës,” është shprehur ai, duke shtuar se, “kjo nxitje vjen edhe nga udhëheqës dhe zyrtarë të shumë vendeve dhe organizatave, veçanërisht nga Europa.”

Kujtojmë se kohët e fundit, Izraeli është përballur me një valë kritikash nga Europa për shkak të fushatës së intensifikuar ushtarake në Gaza, ku organizatat humanitare kanë paralajmëruar se një bllokadë 11-javore e furnizimeve me ndihma ka lënë enklavën palestineze në prag të urisë.

Sa i përket vrasjes së punonjësve izraelit në Uashington, zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se tashmë është ndaluar një i dyshuar që kishte brohoritur slogane pro-palestineze. Ndërkohë, sulmi është dënuar nga presidenti Donald Trump dhe një numër i gjerë udhëheqësish europianë dhe ndërkombëtarë.

Që nga nisja e konfliktit Izrael-Gaza, fushata ajrore dhe tokësore e Izraelit ka vrarë mbi 53,000 palestinezë dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të territorit të Gazës, duke shkaktuar protesta masive në mbarë botën, që nga kampuset universitare në SHBA, deri te rrugët e qyteteve europiane.

 

Të ngjashme