Policia e Kosovës sot ka njoftuar se ka realizuar një operacion policor në dy raste të ndara në tri lokacione dhe që ka rezultuar me dy persona të dyshuar për shpërndarje të propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste.
Lidhur me këtë nga Prokuroria Speciale kanë thënë për Gazetën Express se dy persona janë ndaluar dhe se brenda afatit ligjor do të paraqesin kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
“Në këtë fazë ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”. Mund të konfirmojmë se rastet janë të ndara dhe se prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.”
Në njoftimin e policisë thuhet se kontrollet janë zhvilluar në tri lokacione në Fushë Kosovë dhe Malishevë.
“Pas një pune operative-hetimore nga zyrtarët e Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Republikës së Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor. Operacioni policor ka përfshirë dy (2) raste të ndara, që kanë rezultuar me tri (3) kontrolle të vendbanimeve në Fushë Kosovë dhe Malishëvë, si dhe dy (2) arrestime të personave të dyshuar, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ dhe shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.”
Dy të dyshuarit siç raporton Klankosova janë Alban Bibaj dhe Muhamet Musliu. Musliu, sipas të njëjtave burime, ka pasur të afërm në Siri, të cilët dyshohet se janë vrarë atje.