Në një konferencë të rrallë për shtyp, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përmendur për herë të parë planin e presidentit amerikan Donald Trump, si kusht për përfundimin e luftës në Gaza.
Sipas The Times of Israel, Netanyahu e ka cilësuar planin e Trumpit – për zhvendosjen e palestinezëve nga Rripi i Gazës”, si plan i “shkëlqyer dhe revolucionar”, duke shtuar se diçka e tillë mund të ndryshonte rrënjësisht Lindjen e Mesme.
Tutje, Netanyahu ka deklaruar se operacioni i zgjeruar tokësor i Izraelit, “Karrocat e Gideonit”, ka për synim të përfundojë luftën në Gaza, duke i dhënë goditje vendimtare Hamasit. Ai ka shtuar se objektivat e Izraelit janë: “Shkatërrimi i Hamasit, kthimi i të gjithë pengjeve dhe sigurimi që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin.”
Kryeministri izraelit poashtu ka theksuar se Izraeli ka një plan të qartë dhe të organizuar për të arritur këto qëllime dhe se Gaza do të jetë plotësisht nën kontrollin e sigurisë izraelite pas operacionit. Ai ka përmendur edhe armëpushimin, duke thënë se është i gatshëm për një armëpushim të përkohshëm vetëm nëse do të sillte kthimin e pengjeve.
Ai ka përfunduar duke thënë se lufta mund të përfundonte plotësisht vetëm me zbatimin e plotq të kushteve – përfshirë çarmatimin total të Gazës dhe largimin e Hamasit nga pushteti.