Lajme
Reuters për ngërçin në Kuvend: Kurti nuk i ka numrat – vendi më i varfër në Evropë mund të humbasë fondet e BE-së
Demokracia
11:34 | 22 Maj 2025

Share:

Parlamenti i Kosovës ka dështuar të konstituohet për nëntëmbëdhjetën herë radhazi. Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka raportuar për krizën politike në Kosovë, duke shkruar se bllokada e krijuar mund  shkaktojë frikë për një reagim të ashpër ekonomik pas muajsh ngërçi politik në një nga vendet më të varfra të Evropës.

“Ligjvënësit janë takuar çdo 48 orë që nga mesi i prillit për të zgjedhur një kryetar të ri, një hap i nevojshëm përpara se kryeministri Albin Kurti, një nacionalist i majtë që nuk arriti të fitonte shumicën në zgjedhjet e shkurtit, të mund të përpiqet të formojë një qeveri koalicioni”, shkruan Reuters.

Agjencia e lajmeve shkruan tutje se nëse ngërçi vazhdon Kosova rrezikon të humbasë fondet nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore.

“Megjithatë, nëse parlamenti vazhdon të dështojë në zgjedhjen e një kryetari, ekspertët thonë se Kosova, një vend i vogël ballkanik me 1.6 milion banorë që fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, rrezikon të vonojë ose të humbasë fondet e nevojshme nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore, të cilat janë të destinuara për shëndetësi, arsim dhe energji të gjelbër”, thuhet në artikull.

Për agjencinë ka folur, Lulzim Rafuna, kreu i Odës Ekonomike, i cili ka thënë se, “ka projekte dhe kredi me vlerë 700-800 milionë euro që janë pezull për shkak të krizës”, duke shtuar tutje se “bizneset janë në pasiguri për reformat, politikat fiskale dhe taksat”.

Reuters më pas ka shkruar për komentin e zëvendëskryeministrit në largim, Besnik Bislimi, i cili tha se fondet nuk do të humben dhe se kuvendi duhet të zgjedhë kryetarin për të votuar financimet. Ndërsa, përmendet edhe intervista e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhënë për RTK-në, ku thuhet se “pavarësisht kërkesave të opozitës, kryeministri nuk ka treguar gatishmëri për të ndryshuar kandidaten”.

Tutje, duke shkruar për komentin e Kurtit dhënë në intervistë: “Ata (opozita) nuk besojnë që unë i kam 61 vota për t’u bërë kryeministër, dhe unë po ju them: më testoni,” Reuters ka vënë në pah se kryeministri në detyrë nuk e ka sqaruar se “si pret të sigurojë votat për të formuar qeverinë, kur nuk po arrin as t’i sigurojë ato për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.” /Reporteri.net/

Të ngjashme
Lajme • 22 Maj 2025