Portieri italian i Tottenham Hotspur, Guglielmo Vicario, ka reaguar me emocion pas fitores historike 1-0 ndaj Manchester United në finalen e Ligës së Evropës, duke e cilësuar këtë sukses si fryt të përpjekjes kolektive të skuadrës.
“Është e pabesueshme. Ne kemi shkruar histori në kuptimin e vërtetë të fjalës”, tha Vicario pas ndeshjes, duke theksuar rëndësinë e kësaj fitoreje për klubin dhe tifozët.
Një nga momentet vendimtare të finales ishte pritja shpëtuese e Micky van de Ven në vijën fatale, të cilën Vicario nuk e la pa e përmendur.
“Pritja e Micky van de Ven në vijën e golit ishte brilante, por e dinim para ndeshjes se na duhej përpjekje nga të gjithë”, shtoi ai.
Fitorja ndaj Djajve të Kuq është një sukses i jashtëzakonshëm për Tottenhamin, i cili nuk ka qenë në formë në kampionatin anglez dhe aktualisht ndodhet në vendin e 17-të në Ligën Premier.
Megjithatë, triumfi në Ligën e Evropës i garanton Spurs pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm, duke rikthyer shpresën dhe optimizmin në klubin londinez.
Vicario u shpreh se kjo fitore duhet festuar me meritë, duke theksuar se ishte rezultat i sakrificës, disiplinës dhe bashkëpunimit mes të gjithë komponentëve të skuadrës.
“Ne ia dolëm mbanë dhe tani duhet të festojmë”, përfundoi gardiani italian. /Telegrafi/