Lajme
Oferta pune ende pa e marrë diplomën: Kosova si fabrikë e mjekëve që ikin jashtë
Demokracia
23:19 | 21 Maj 2025

Share:

Pa përfunduar ende studimet, Shpresa nga Prishtina i ka siguruar pesë oferta pune – në Gjermani dhe në Zvicër.

Pas qershorit, kur përfundon studimet për infermieri në një nga kolegjet private në Kosovë, ajo do të pajiset me licencë dhe më pas do të nisë rrugëtimin jashtë vendit.

Punëdhënësit nga të cilët ka marrë ofertat janë duke pritur vetëm konfirmimin e saj, si dhe datën se kur do të fillojë punën.

“Pas shtatë apo tetë muajsh do të jem atje”, thotë Shpresa, identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë.

Pagat e ofruara, sipas saj, janë shumë më të larta sesa paga maksimale prej rreth 840 eurosh bruto që një infermiere mund ta marrë në Kosovë.

“Kryesisht janë nga 3.600 deri në 3.800 euro [bruto] për një person. Nga ato zbriten taksat që ndal shteti, dhe mbeten diku rreth 2.600 deri në 2.700 euro [neto]”, thekson Shpresa.

Por, nuk është vetëm paga ajo që e motivon të shpërngulet jashtë Kosovës.

Ajo nuk dëshiron të përballet me përvojat e këqija, nëpër të cilat, sipas saj, kanë kaluar kolegët gjatë konkurseve për punë.

“Fatkeqësisht, gjërat në Kosovë shkojnë me të njohur [nepotizëm]. Nuk e kam askënd të njohur. Kështu që, për mua, më primare është të shkoj në vende të huaja, sesa të rri në Kosovë. Atje, diploma e kolegjit të njihet, të mirëpresin tamam si infermiere, dhe atje nuk ke nevojë të shikosh se kë ke nënë, babë, apo kë ke të njohur”, u shpreh Shpresa.

Ajo nuk është e vetmja që po synon vendet e Bashkimit Evropian.

Mbi 100 mijë qytetarë u larguan nga Kosova për tri vjet

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se vetëm brenda tre vjetësh, nga fillimi i vitit 2021 e deri në fund të 2023-tës, nga Kosova janë larguar 105.525 qytetarë.

Në vitin 2021 janë larguar 42.728 qytetarë, 41.553 në vitin 2022 dhe 21.244 në vitin 2023.

Nga 1 janari i vitit 2024 ka hyrë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave në zonën Shengen, dhe qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete evropiane.

Të dhënat për numrin e qytetarëve të Kosovës që janë larguar nga vendi gjatë vitit 2024, sipas ASK-së, do të publikohen gjatë muajit qershor të këtij viti.

Trendi i largimit të personelit shëndetësor nga Kosova drejt vendeve perëndimore, i cili është shënuar tash e disa vite, po vazhdon edhe më tej, thonë nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e Kosovës.

Në rast se ky trend nuk frenohet, sipas kryetares së kësaj federate, Tevide Imeri, vendi rrezikon të mbetet pa mjekë dhe pa infermierë të profileve të ndryshme.

“E çuditshme dhe absurde është që Kosova po prodhon punëtorë shëndetësorë, sikur ata të jenë ‘ushqim’ për ta eksportuar. Institucionet [arsimore] private dhe ato publike janë duke prodhuar kuadro për t’i shitur”, thekson Imeri.

Sipas të dhënave të Federatës, por edhe të Odës së Mjekëve të Kosovës, nga viti 2018 e deri më tash, nga vendi janë larguar rreth 850 mjekë, shumica prej të cilëve kanë ikur drejt vendeve perëndimore për arsye punësimi.

Për të njëjtat arsye, sipas tyre, nga Kosova largohen brenda vitit mbi 300 infermierë, për të punuar kryesisht në Gjermani, por edhe në vende të tjera evropiane.

Të ngjashme