Lajme
Tensione në Zyrën Ovale – Trump nervozohet dhe përzë gazetarin pasi e pyeti për aeroplanin e dhuruar nga Katari
Demokracia
22:06 | 21 Maj 2025

Share:

Një moment tensioni shpërtheu gjatë një konference për shtyp të mbajtur nga presidenti amerikan, Donald Trump, kur një gazetar guxoi të ngrinte një pyetje rreth një dhurate luksoze të bërë nga Katari – një aeroplan Boeing 747-8.

Pyetja u prit me nervozizëm nga lideri amerikan, i cili nuk hezitoi ta ndërpresë gazetarin dhe më pas ta përzë nga salla, duke e cilësuar pyetjen si “provokuese dhe të panevojshme”.

“Ti duhet të zhdukesh që këtu. Çfarë lidhje ka kjo me aeroplanin e Katarit? Hesht. Hesht. Nuk ke më të drejtë të bësh pyetje”, tha 78-vjeçari dhe më pas sulmoi edhe  kanalin NBC, “kjo është përpjekje e NBC për të devijuar temën. Je një gazetar i tmerrshëm. Nuk i ke aftësitë që duhen për të qenë gazetar, nuk je mjaftueshëm i zgjuar”.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të mbrojtjes kanë konfirmuar zyrtarisht se Pentagoni ka pranuar aeroplanin e përmendur, i cili është një nga mjetet më të avancuara në botë për transportin ajror të udhëheqësve shtetërorë. Sipas zëdhënësit të Pentagonit, Sean Parnell, vetë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka nënshkruar dokumentet e pranimit zyrtar të aeroplanit, duke e quajtur atë “një mjet strategjik për nevojat logjistike dhe sigurinë e presidentit”.

“Departamenti i Mbrojtjes tashmë është duke punuar për të vendosur masat e nevojshme të sigurisë dhe për të përshtatur pajisjet teknologjike që kërkohen për një avion presidencial,” deklaroi Parnell. Ai shtoi se modifikimet do të jenë në përputhje me standardet më të larta të sigurisë kombëtare dhe komunikimit të koduar që kërkohen për transportin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Aeroplani Boeing 747-8, i njohur për teknologjinë e avancuar dhe kapacitetin e madh, ka ngritur debat mes analistëve dhe opinionit publik për natyrën e dhuratës dhe ndikimin e saj në marrëdhëniet SHBA–Katar, si dhe mbi etikën e pranimit të një mjeti të tillë nga një vend i huaj.

Pavarësisht reagimeve të ashpra, Trump e ka përshkruar dhuratën si një akt bashkëpunimi dhe “mirënjohjeje ndërkombëtare”, ndërsa kritikët e konsiderojnë atë si një shqetësim të mundshëm për konflikt interesi dhe ndikim të huaj në politikën amerikane.

Të ngjashme