Lajme
E domosdoshme ngritja e Akademisë së Forcave Ajrore të FSK-së
Demokracia
20:34 | 21 Maj 2025

Share:

Ngritja e Akademisë së Forcave Ajrore të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) po shihet si nevojë për ushtrinë e vendit në fazën e fundit të tranzicionit të Forcës së Republikës.

Ekspertët e aviacionit e konsiderojnë këtë projekt si shumë të rëndësishëm, pasi mund të ndihmojë në ngritjen e aftësive dhe përgatitjes profesionale të personelit të FSK-së.

Megjithatë, për ata që drejtojnë FSK-në dhe ish-ushtarakët, ky projekt duket si i panevojshëm në këto momente. Ata besojnë se, duke pasur parasysh mundësitë e trajnimit që ofrohen përmes partneriteteve ndërkombëtare, themelimi i një akademie të tillë mund ketë kosto të lartë.

Në kohën kur Forca e Sigurisë së Kosovës po shkon drejt fundit të transformimit të saj 10 vjeçar, në këtë fazë parashihet edhe pajisja me helikopter.

Për drejtimin e tyre i domosdoshëm është personeli i forcave ajrore për pilotim. Ngritja e një akademie për aftësimin e pilotëve në këtë kohë, nga ekspertë të aviacionit po shihet e nevojshme. Ata thonë se efektiviteti operativ i ushtrisë do të ishte më i madh.

“Në vend të varësisë të pilotëve të trajnuar jashtë vendit , ne duhet ti krijojmë kapacitet brendshme që ta rrisim sigurinë kombëtare dhe pavarësisë operacionale të sistemeve të mbrojtjes ajrore të Kosovës…”, tha për RTK Afrim Aziri, ekspert i aviacionit.

Megjithatë, ata që dikur e kanë udhëhequr Forcën e Sigurisë së Kosovës, thonë se një gjë e tillë tani për tani është e panevojshme.

“Është shumë e kushtueshme dhe e panevojshëm dhe ne ndoshta nuk do të kem nevojë që ndoshta çdo vit të shkollojmë pilot, ne shkollojmë fillimisht nëse i kemi tre helikopter i shkollojmë 6-12 pilot dhe kjo, nëse e llogarisim se sa kushton shkollimi i tyre, është shumë ma mirë që të kemi një marrëveshje me shtetet që kanë kapacitet shumë më të mëdhatë pilotëve”, tha Kadri Kastrati, ish-komandanti i FSK-së.

E duke qenë se FSK aktualisht ka bashkëpunim me vendet partnere të NATO-s, në veçanti me SHBA dhe Turqinë, për të kryer Akademinë Ushtarake Ajrore për pilot, një Akademi të Forcave Ajrore, Kosova nuk planifikon ta ketë.

“Ne do te kemi kuadro të cilët do të ndihmojnë në përgatitjen dhe rifreskimin e njohurive të pilotëve. Mirëpo të gjitha marrëveshjet që kemi me vendet e NATO-s për edukimin në Akademitë e tyre ajrore që FSK-së ka për pilot”, tha Ejup Maqedonci, ministër në detyrë i Mbrojtjes.

Ndërkohë, pas 18 vitesh Shqipëria ka nënshkruar një memorandum për ta rihapur Shkollën e Aviacionit në Vlorë që do të prodhojë pilotë ushtarakë dhe civilë.

Të ngjashme