Lajme
Kryetari i AKB-së: Varësia nga importi e bën të pashmangshme rritjen e çmimeve
Demokracia
09:16 | 21 Maj 2025

Share:

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është deklaruar  ndaj situatës së çmimeve në tregun kosovar, duke e lidhur rritjen e tyre drejtpërdrejt me mungesën e prodhimit vendor dhe varësinë e madhe nga importet. Sipas Shahinit, importet në Kosovë arrijnë mbi 6.3 miliardë euro në vit, ndërsa infrastruktura ligjore po ngarkohet gjithnjë e më shumë me rregullore të reja, që më shumë e komplikojnë punën e bizneseve sesa e lehtësojnë.

‘’Ngritja e çmimeve në Kosovë është si pasojë e mungesës së prodhimit vendor e importeve që janë mbi 6,3 miliardë euro në nivel vjetor si dhe infrastruktura ligjore e cila është për çdo ditë duke u ngarkuar me rregullore të reja të cilat janë më shumë ngarkuese sesa lehtësuese’’, thotë Shahini.

Ai nënvizon gjithashtu ndikimin e drejtpërdrejtë që ka rritja e çmimit të energjisë elektrike në koston përfundimtare të produkteve dhe shërbimeve, duke e rënduar edhe më shumë situatën për qytetarët.

‘’Rritja e çmimeve esenciale po ashtu është shumë duke u varur nga rritja e çmimit të energjisë elektrike’’, deklaroi kryetari i AKB-së.

Sipas Shahinit bizneset përpiqen të ruajnë një ekuilibër, por varësia nga importi dhe faktorët e jashtëm e bëjnë të pashmangshme rritjen e çmimeve.

‘’Të gjitha këto janë në kurriz të konsumatorit, bizneset janë duke tentuar që ta mbajnë një balancë, por kur ne varemi nga importi dhe faktorë të jashtëm bizneset domosdoshmërisht do ti rrisin çmimet’’, tha Shahini.

Shahini thotë se konsumatorët e përballojnë këtë realitet me paga shumë më të ulëta se në vendet perëndimore, dhe çmimet në shumë raste dukenmë të larta.

‘’ Konsumatorët kanë të drejtë të ankohen për ngritjet e çmimet të cilat disa mendojnë se janë çmime më të shtrenjta se në perëndim për arsye se pagat këtu janë të dobëta dhe kjo bën që konsumatori të jetë buzë skajit të varfërisë’’, përfundoi Shahini.

Të ngjashme