Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, deklaroi se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës është vendim i partisë dhe nuk do të tërhiqet
“Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua për 61 vota”…
Kjo deklaratë, përmbledhtazi, i nxori në pah deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, një paradoks politik thuajse matematik për nga përmbajtja dhe koherenca në intervistën e sontme në RTK; deklaroi se nuk do ta ndryshojë në asnjë rrethanë kandidatin për kryeparlamentar, edhe pas 18 dështimeve radhazi, iu lut partive t’ia votojnë atë… dhe megjithatë, paralelisht, pretendoi me bindje absolute se i ka numrat për të formuar qeverinë.
“Ata nuk besojnë që unë nuk i kam 61 vota për kryeministër. Unë iu them atyre: ‘më testoni’. Nëse ata besojnë se Albin Kurti nuk i ka 61 vota të deputetëve për t’u bërë sërish kryeministër, e kanë në dorë të më sfidojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua.
Nëse unë dështoj, pikërisht kjo do të ishte një fitore për ta. Nuk do të ishte fitore për ta duke e bllokuar Kuvendin dhe duke pamundësuar kuorumin,” – deklaroi Kurti në RTK.
Kreu i VV-së këmbënguli se nuk do ta ndryshojnë kandidaturën e Albulena Haxhiut, pavarësisht se nesër Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për të 19-ën herë për të dështuar zgjedhjen e saj.
“Ky është vendim i subjektit tonë,” tha ish-kryeministri, duke ia atribuar gjithë kokëfortësinë “parimit” të moskompromisit, edhe në rast ku realiteti politik – në mungesë numrash – i kërkon fleksibilitet.
Këmbënguljen për Haxhiun, Kurti e mbështeti në argumentin se ajo është “gruaja më e votuar”, ndonëse për tetëmbëdhjetë herë radhazi nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.
“Ne nuk lejojmë të shkelet gruaja më e votuar e legjislaturës së nëntë. Ne nuk po i kontestojmë propozimet e të tjerëve. Ne nuk po kërkojmë që propozimi ynë të bëhet i tyre. Unë besoj se duhet të respektohet propozimi i subjektit,” shtoi më tej ai.
Pavarësisht dështimeve, kandidatura e Albulena Haxhiut, sipas Kurtit, mbetet “e panegociueshme”, ndërsa ai përpiqej ta zbuste qëndrimin me deklarata si: “ne nuk do t’ua imponojmë të tjerëve zgjedhjen”.
“Unë besoj se zgjidhja përpara është të mos ia imponojmë njëri-tjetrit kryetarët. Nëse opozita është e sigurt që Albulena Haxhiu nuk kalon sërish, le ta provojnë votimin e fshehtë. Dhe sapo të konstituohet Kuvendi, si kryeministër në detyrë dhe si kryetar i VV-së, do t’i kem minimalisht 61 vota për qeverinë e re,” – përfundoi ai.
‘Ëndrrat e Kurtit’, thotë se do t’i ketë 80 deputetë me koalicionin “ideal”
Ndonëse propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, Haxhiu konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkojnë që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar.
Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka ngecur pikërisht te zgjedhja e kryeparlamentarit.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.