Kreu i LDK-së e njofton ambasadorin italian në Prishtinë rreth propozimit të tij për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse tranzitore, si zgjidhje për rikthimin e funksionalitetit kushtetues dhe institucional në Kosovë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka takuar të martën ambasadorin e ri të Italisë në Prishtinë, Maurizio Antonini, të cilin e uroi për fillimin e mandatit dhe i dëshiroi sukses në detyrën e tij të re. Gjatë takimit, ai e informoi diplomatin italian edhe për qëndrimet e LDK-së rreth situatës aktuale politike.
Abdixhiku, sipas komunikatës së LDK-së, theksoi se kriza institucionale në Kosovë është rezultat i paaftësisë së partisë fituese për të ndërtuar një shumicë funksionale në Kuvendin e Kosovës, çka do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
“Kjo situatë po ndikon direkt në mosfunksionimin e përditshëm të institucioneve dhe pengon zhvillimin e mëtejshëm demokratik dhe institucional të shtetit. LDK konsideron se rikthimi i rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional është urgjente për të garantuar stabilitetin dhe besimin qytetar në institucionet e vendit”.
Ai gjithashtu e informoi ambasadorin Antonini për propozimin e LDK-së për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse të tranzicionit, të cilën e cilësoi si zgjidhjen më të mirë dhe të domosdoshme për tejkalimin e ngërçit aktual institucional në Kosovë.