ShowBiz
Spanja dhe Belgjika kërkojnë auditim të votave në Eurovision 2025: Dyshime për manipulim
Demokracia
12:54 | 20 Maj 2025

Share:

Pas finales së Eurovision 2025, dy transmetues publikë – RTVE në Spanjë dhe VRT në Belgjikë – kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi votimin e publikut, veçanërisht në lidhje me pikët që i janë dhënë Izraelit.

Të dyja vendet kanë kërkuar auditim dhe transparencë të plotë nga EBU (Unioni Europian i Transmetuesve), duke sugjeruar se mund të ketë pasur parregullsi ose manipulim në televotim, megjithëse deri tani nuk janë paraqitur prova konkrete për shkelje.

Çfarë ndodhi me votat për Izraelin?

Sipas rezultateve finale, Izraeli, i përfaqësuar nga këngëtarja Yuval Raphael, fitoi nga publiku 297 pikë, ndërsa juritë profesioniste e vendosën në vendin e 14-të me vetëm 60 pikë. Ky kontrast ka ngritur dyshime.

Kjo diferencë e thellë mes votave të publikut dhe atyre të jurive ka shtyrë Belgjikën dhe Spanjën të kërkojnë hetim.

Transmetuesi publik spanjoll RTVE tha për mediat se kishte kërkuar që në natën e finales një analizë të detajuar të votave nga EBU, por informacioni që mori ishte i kufizuar. Sipas gazetës El País, RTVE ka marrë vetëm një listë të vendeve që morën më shumë vota, pa shifra të sakta. Ata kërkojnë një auditim të pavarur për votat publike spanjolle dhe një sistem votimi që garanton besueshmëri dhe barazi.

Ndërkohë, zëdhënësja e transmetuesit belg VRT, Yasmine Van der Borght, u shpreh: “Nuk kemi ende prova që pikët janë dhënë gabim, por kërkojmë transparencë të plotë nga EBU. Pyetja kryesore është: A pasqyron sistemi aktual vërtet opinionin e publikut?”:

Situata bëhet edhe më komplekse duke pasur parasysh klimën politike dhe ndarjen e qëndrimeve ndaj Izraelit. Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, tha se: “Nëse Rusia u përjashtua për shkelje të të drejtave të njeriut, Izraeli duhet të trajtohet njësoj. Nuk mund të ketë standarde të dyfishta.”

Në Spanjë dhe Belgjikë, u shfaqën shenja simbolike në ekran në mbështetje të Gazës përpara shfaqjes.

Ky është viti i dytë radhazi që pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision shkakton pakënaqësi dhe polemika. Pavarësisht fushatave dhe mbështetjes masive që Raphael mori në rrjet, vota e publikut për të, në kontrast me votën e ekspertëve, ngriti dyshime për manipulim, apo të paktën për ndikim jo natyror të opinionit publik.

Të ngjashme