Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një bisedë të dytë me homologun e tij amerikan Donald Trump, pas bisedës së presidentit amerikan me udhëheqësin rus Vladimir Putin.
“Ne nuk do t’i tërheqim trupat tona nga territoret tona, është detyra ime kushtetuese, e forcave tona. Nuk do të ketë ultimatume, askush nuk do të dorëzojë tokat e veta, njerëzit e shtëpitë e veta. Nuk e di se cilat janë parimet e memorandumit të përmendur nga Putini, por nëse Rusia vendos kushte për tërheqjen e trupave tona nga toka jonë – kjo do të thotë se ata nuk duan që lufta të mbarojë. Sepse ata e kuptojnë qartë se Ukraina nuk do ta bëjë këtë”, tha Zelensky.
“Unë e kuptoj që SHBA-të e diskutuan këtë me Putinin, me palën ruse; se formati dypalësh mund të çojë në një memorandum, i cili më pas mund të krijojë një plan veprimi për t’i dhënë fund luftës, domethënë, në një marrëveshje. Një memorandum që do të mbështetej nga të gjitha ose të dyja vendet, i cili do të përfshinte edhe një armëpushim. Nuk kam dijeni për një gjë të tillë për momentin. Nëse Rusia propozon një memorandum, ne do të jemi në gjendje të formulojmë vizionin tonë”, tha për fund presidenti ukrainas.