Eduard Zaloshnja
1. Pjesëmarrja e përgjithshme ishte më e ulët se në vitin 2021, edhe pse rreth 202 mijë shqiptarë të diasporës votuan për herë të parë me postë nga jashtë. Vetëm 45% e 3.71 milionë shqiptarëve me të drejtë vote (këtu dhe jashtë) votuan fizikisht ose me postë (1.67 milionë në total). Në vitin 2021, pjesëmarrja e përgjithshme ishte më e lartë (46%), edhe pse asnjë zgjedhës nuk erdhi dot të votojë nga jashtë, për shkak të kufizimeve të Covid-19.
2. Rënia e pjesëmarrjes së këtushme ndikoi shumë tek koalicioni kryesor opozitar (PD-ASHM), i cili pati një rënie prej 250 mijë votash (përjashtuar diasporën), krahasuar me votat që morën partitë përbërëse të tij në vitin 2021.
3. Në Qarkun Tiranë, i vetmi me rritje të vazhdueshme të popullsisë, rënia e votave për PD-ASHM (përjashtuar diasporën) ishte rreth 60 mijë, kurse PS pati një rënie prej vetëm 19 mijë votash. Ndërkohë, partitë e vogla patën 45 mijë vota rritje, ndërsa rreth 150 mijë zgjedhës me banim në qark nuk votuan fare.
4. Votat nga diaspora (përjashtuar Greqinë) ndikuan në shpërndarjen e mandateve vetëm në një qark – Vlorë. Votat nga Greqia nuk patën asnjë ndikim në shpërndarjen e mandateve (megjithëse ishin shumë afër ndikimit të mandateve në Lezhë).
5. Koalicioni Lapaj-Shabani iu afrua marrjes së 2 mandateve, por e humbi garën për 1 mandat në Fier (për atë mandat i duheshin 520 vota ekstra, përveç 9200 votave që mori në qark).
6. Dy yjet në ngjitje të opozitës, Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti, mundën me një diferencë të madhe politikanë me përvojë të opozitës, si Ilir Meta, Shpëtim Idrizi, etj.
7. Rritja gjigande e mandateve për PS – nga 74 në 83 – erdhi kryesisht nga pjesëmarrja e ulët e votuesve opozitarë këtu në Shqipëri. Votat e diasporës e ndihmuan PS-në të merrte vetëm 1 mandat shtesë (në Vlorë).
8. Vetëm 11% e rreth 1.8 milionë zgjedhësve në diasporë votuan me postë. 89% nuk votuan fare.