Lajme
Vjeshtë në fundjavë, java me rrebeshe shiu – rrufe dhe intervale me diell
Demokracia
22:43 | 19 Maj 2025

Share:

Kjo javë në Kosovë do të karakterizohet me një ngritje të ndjeshme të temperaturave, si dhe me depërtimin e koncentrimeve të pluhurit saharian mbi rajonin tonë, nga dita e martë e deri të enjten.

Këto koncentrime pritet të ndikojnë në cilësinë e ajrit dhe do të bëjnë që reshjet eventuale gjatë kësaj periudhe të jenë të përziera me baltë.

Këto zhvillime atmosferike vijnë pas motit të pazakontë të fundjavës së kaluar, kur masa të ftohta me origjinë polare sollën sërish borë në Kosovë – të premten, në mes të majit.

Edhe pse këto masa tashmë janë dobësuar, qendrat aktive me presion të ulët do të mbesin të pranishme mbi rajonin tonë gjatë gjithë javës.

E hëna u karakterizua me vranësira dhe intervale me diell. Në disa zona pati fillimisht riga shiu, ndërsa gjatë pasdites dhe në orët e mbrëmjes janë shfaqur rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

E marta do të vijojë me diell dhe vranësira. Nuk përjashtohet mundësia për ndonjë reshje të dobët, ndërkohë që në atmosferë do të fillojnë të shfaqen koncentrimet e pluhurit saharian.

Të mërkurën, pritet mot me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell. Herë pas here do të ketë rrebeshe lokale shiu, të cilat, për shkak të pluhurit saharian në ajër, pritet të jenë të përziera me baltë dhe të shoqërohen me shkarkesa rrufesh.

Të enjten, pas reshjeve lokale në orët e para të ditës, moti do të vijojë me diell dhe vranësira. Edhe kjo ditë mund të sjellë reshje të izoluara me përzierje balte.

E premtja parashikohet me diell dhe vranësira. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia për reshje të izoluara

Të shtunën, masa të ftohta dhe të lagështa pritet të depërtojnë gradualisht nga veriu i kontinentit, duke sjellë një intensifikim të reshjeve dhe ulje graduale të temperaturave.

Këto masa do të fuqizohen më tej të dielën, me mot kryesisht të vranët dhe reshje intensive në të gjithë vendin. Temperaturat do të bien ndjeshëm, duke zbritur rreth vlerës 15°C.

Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i perëndimit dhe jugperëndimit gjatë javës, ndërsa në fundjavë do të kthehet nga veriu. Herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 20-50 km/h.

Temperaturat do të shënojnë një ngritje graduale gjatë ditëve në vijim, por do të mbeten pothuajse konstante deri në fundjavë, kur pritet një rënie e ndjeshme. Vlerat minimale do të lëvizin prej 7 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 25°C. /MeteoKosova/

Të ngjashme