Lajme
Profesoresha serbe që arrestua në Novi Sad ndodhet në grevë urie – BE kërkon veprim urgjent
Demokracia
13:41 | 19 Maj 2025

Share:

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të profesoreshës dhe aktivistes serbe Marija Vasiq, e cila ndodhet në paraburgim dhe po zhvillon grevë urie

“Presim që autoritetet të veprojnë me përgjegjësi dhe t’i sigurojnë trajtim adekuat mjekësor,” tha zëdhënësi i Komisionit Evropian në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Vasiq është një nga gjashtë aktivistët dhe studentët nga Novi Sadi që u arrestuan më 14 mars, një ditë para protestës masive në Beograd. Ata akuzohen për përgatitje të veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë. Pas vendimit të gjykatës për zgjatjen e paraburgimit edhe për 30 ditë, Vasiq nisi grevën më 13 maj.

Për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore, ajo u transferua të enjten nga burgu i Novi Sadit në spitalin e burgut në Beograd.

“Presim që kushtet në paraburgim të respektojnë të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor,” thuhet më tej në reagimin e BE-së, ku theksohet se do të ndiqet me kujdes rasti dhe do të kërkohet një proces i drejtë ligjor.

Familja e Marija Vasiq ka shprehur shqetësimin se prej ditësh nuk ka informacione mbi gjendjen e saj shëndetësore. Edhe djali i saj, Milan Canak, deklaroi të njëjtën gjë të hënën në mëngjes.

Ndërkohë, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale ka deklaruar se të gjitha informacionet për gjendjen shëndetësore të profesoreshës janë “të qasshme për publikun”. Sipas tyre, në ditën e parë të transferimit në spital, Vasic është lidhur me infuzion dhe po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Ky rast ka ngjallur reagime të gjera publike dhe është shoqëruar me protesta e bllokada pranë gjykatës në Novi Sad në mbështetje të aktivistëve të arrestuar.

Të ngjashme
Lajme • 19 Maj 2025