Ahmad Sarhan, anëtar i lartë i krahut ushtarak të Komiteteve të Rezistencës Popullore, u vra gjatë një operacioni izraelit në jug të Rripit të Gazës të hënën herët në mëngjes, raportuan mediat palestineze, ndërsa ushtria izraelite mohoi se ky operacion ishte përpjekje për të shpëtuar pengje.
Mediat në Gaza raportuan se forcat speciale izraelite hynë në qytetin Khan Younis dhe e vranë Sarhan-in. Sipas raportimeve, forcat hynë në zemër të qytetit të maskuara, përfshirë disa ushtarë të veshur si gra. Në raportime pretendohet se gjatë operacionet u ndaluan bashkëshortja dhe fëmijët e Sarhan-it, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Komitetet e Rezistencës Popullore konsiderohen si organizata e tretë më e madhe në Rripin e Gazës, pas Hamasit dhe Xhihadit Islam. Viteve të fundit, grupi ka operuar nën udhëzimet e Hamasit.
Në kohën e incidentit në agim, u raportua për një valë të sulmeve të rënda ajrore përreth zonës së qytetit Khan Younis, përfshirë spitalin “Nasser”.
Në video nga Rripi i Gazës shfaqen sulme në zonë, të pasuara nga zhurma e armëve nga helikopterët, predhat, zjarri i armëve të vogla dhe shpërthime të tjera. Pati raportime të pakonfirmuara në media palestineze për viktima.
Forcat speicale dolën nga qyteti pa pësuar ndonjë viktimë, sipas mediave në gjuhën izraelite. Mediat palestineze publikuan fotografi të një karroce që gjoja ishte lënë nga forcat izraelite.
Në fotografi shfaqej ajo që dukej si karrocë që zakonisht tërhiqet nga një gomar ose motoçikletë dhe që përdoret shpesh nga banorët e zhvendosur të Gazës për t’i bartur gjësendet e tyre.
Brenda karrocës, megjithatë, ishte një hapësirë e fshehtë, ku mund të jenë fshehur trupat ose pajisjet izraelite ose e cila ka mundur të përdoret për të mbajtur persona të dyshuar.