Sport
Shpërtheu në lot pasi humbi titullin, Farioli largohet nga Ajaxi
Demokracia
12:30 | 19 Maj 2025

Share:

Francesco Farioli ka njoftuar se do të largohet nga Ajax në fund të sezonit 2024-25, pas vetëm një viti në krye të gjigantëve holandezë.

Trajneri italian, e ka bërë të ditur vendimin e tij për klubin, stafin dhe lojtarët, ndërsa lajmi u konfirmua nga Ajax në një deklaratë zyrtare të hënën në mëngjes.

Farioli u shpreh se ai dhe klubi ndajnë një vizion të përbashkët për të ardhmen, por se kanë versione dhe afate të ndryshme për mënyrën se si të realizohen ato objektiva.

Ajax e mbylli sezonin me një fitore 2-0 ndaj FC Twente, falë golave të Jordan Henderson dhe Wout Weghorst, duke siguruar vendin e dytë në kampionat.

Skuadra përfundoi sezonin me 78 pikë, vetëm një më pak se kampionët e PSV Eindhoven, pas një gare të ngushtë deri në javën e fundit.

Megjithatë, humbja e epërsisë prej nëntë pikësh në pesë javët e fundit me rezultate të dobëta si humbjet 4-0 ndaj Utrecht e 0-3 nga NEC si dhe barazimet me Sparta Rotterdam e Groningen, ndikuan ndjeshëm në humbjen e titullit.

Pavarësisht zhgënjimit, vendi i dytë garanton rikthimin e Ajax në Ligën e Kampionëve për sezonin 2025-26, për herë të parë pas dy sezonesh mungesë.

Farioli shpërtheu në lot pas ndeshjes ndaj Twentes duke emocionuar të gjithë të pranishmit në stadium.

Të ngjashme