Rafael Leao mezi pret t’i bashkohet Barcelonës këtë verë, raportojnë mediat spanjolle. Sipas El Nacional, anësori portugez e sheh këtë si momentin ideal për të bërë hapin e madh në karrierë dhe për të kaluar nga Serie A në një klub me projekt ambicioz si Barcelona.
Leao është veçanërisht i tërhequr nga mundësia për të luajtur përkrah yjeve të rinj si Lamine Yamal, Pedri, Gavi dhe Frenkie de Jong. Ai raportohet të jetë magjepsur nga stili i lojës së katalanasve dhe sheh një lidhje të veçantë me Yamalin, i cili e ka impresionuar këtë sezon.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, mbështet fuqishëm idenë e transferimit të Leaos. Ai e sheh si një përforcim të rëndësishëm sportivisht, por edhe si sinjal për rikthimin e fuqishëm të klubit në arenën evropiane.
Megjithatë, Milani nuk është i gatshëm ta lejojë largimin e tij pa një ofertë të madhe. Klubi italian ka vendosur një çmim prej rreth 70 milionë euro, shumë që aktualisht është përtej mundësive të Barcelonës pa realizuar shitje të rëndësishme.
Sidoqoftë, Leao duket i vendosur për t’u larguar. Ai ka pasur një sezon të vështirë në Milano dhe përfaqësuesit e tij tashmë kanë nisur kontaktet me drejtuesit e Barcelonës për të eksploruar mundësinë e transferimit.
Nëse Milani pranon të ulë çmimin në rreth 50-55 milionë euro, atëherë Barcelona mund të bëjë një lëvizje konkrete, sidomos nëse arrin të shesë disa lojtarë për të balancuar financat.
Ambicia e Leaos është e qartë. të luajë për Barçën, të bashkëpunojë me Flick dhe të garojë për trofe të mëdhenj. Tani mbetet për t’u parë nëse kjo verë do të sjellë zyrtarizimin e ëndrrës së tij në Camp Nou.