Lajme
Edhe një kontratë për kompaninë greke, ndonëse ish-kreu i KEK-ut akuzohet për favore ndaj saj
Demokracia
12:30 | 19 Maj 2025

Share:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re kundër ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës. Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit akuzohen për veprimet e tyre të kundërligjshme gjatë periudhës 2021–2023, që kanë shkaktuar dëme në buxhetin e Kosovës, me një shifër prej rreth 37 milionë euro. Akuzat përfshijnë “keqpërdorimin e detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimin e fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmën në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”. Aktakuza lidhet me disa tenderë, përfshirë një kontratë të lidhur me një kompani të re nga Greqia. Kompania në fjalë është shpërblyer me një kontratë me negocim nga KEK-u disa ditë më parë, sipas raportit të Demokracia.com.

KEK i ka dhënë një kontratë të re milionëshe kompanisë greke “Power Projects”. Kjo kompani ishte përmendur edhe më herët në aktakuzën ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, i cili dyshohet për favorizim në një tender të mëhershëm.

Prokurimi i KEK-ut ka lidhur një kontratë me negocim pa publikimin e njoftimit për kontratë me kompaninë greke ERGOTEM SA, e cila është regjistruar në ARBK më 6 korrik 2023 me emrin “ERGOTEM PUBLIC LIMITED TECHNICAL COMMERCIAL AND INDUSTRIAL COMPANY Branch në Kosovë”. Kontrata përfshin punët dhe materialet shtesë për “Ndërrimin e porteve dhe ndërrimin e pjesëve të degëve të kanaleve CFRG PA në kaldajën B1 dhe B2 në TC Kosova B”, me një vlerë prej 190 mijë euro.

Sipas përshkrimit të kontratës, KEK sh.a. ka një kontratë në implementim që përfshin “Ndërrimin e porteve dhe ndërrimin e pjesëve të degëve të kanaleve CFRG PA në kaldajën B1 dhe B2 në TC Kosova B”, e nënshkruar më 09 07 2024 me një kosto prej 2,079,606.75 euro, duke përfshirë të gjitha taksat (TVSH + Doganë). Kjo kontratë është rezultat i një kërkese nga një kontraktor i Zyres së BE-së, i cili ka kryer hulumtimet në të dy kaldajat për të identifikuar pikat e dobëta teknike dhe kushtet për implementimin e projektit të DeNOx. Projekti i DeNOx do të financohet nga Zyra e BE dhe planifikohet të implementohet në vitet 2026 për kaldajën B2 dhe në vitin 2027 për kaldajën B1.

Aktakuza kundër Krasniqit lidhet pikërisht me këtë kompani që kishte ardhur për herë të parë në KEK si tenderues.

Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna deklarohen të pafajshëm – Ymer Dragusha pranon fajësinë

Gjithashtu, sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha, gjatë periudhës nga dhjetor 2022 deri më 18 prill 2023, me dashje në bashkëkryerje, si persona zyrtarë kanë keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar për tejkalimin e tyre të kompetencave përfitimin e operatorit ekonomik “Ergotem S.A”, duke i shkelur të drejtat e personave të tjerë dhe duke shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës. Kjo ka ndodhur në kontekstin e aktivitetit të prokurimit në një procedurë të hapur, e cila është quajtur “Pllakat rrëshqitëse në PF-kanalet e mullinjve të thëngjillit”, duke vepruar në kundërshtim me rregullat e përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP).

Fillimisht, Krasniqi, disa muaj pas njoftimit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për tenderin e përmendur, i fton të pandehurit përfaqësuesit e operatorit ekonomik “Ergotem S.A” nga Greqia për një vizitë në vendpunishten e KEK-ut, duke urdhëruar zyrtarët e KEK-ut që të dërgojnë specifikimet teknike pa shpalljen paraprake të tenderit, në kundërshtim me rregullat e LPP-së.

Për më tej, aktakuza thotë se më 15 dhjetor 2022, Krasniqi, në shkelje të parimit të barazisë dhe jo-diskriminimit të përcaktuar në nenin 7 të LPP-së, në një procedurë të hapur ku nuk lejohej njoftimi paraprak i ofertuesve, i dërgon SMS Ymer Dragushës duke urdhëruar që për tenderin që do të shpallet më 16 dhjetor 2022, të ftohen operatori ekonomik “SBB” dhe operatori ekonomik “Ergotem S.A”, duke përcaktuar paraprakisht konkurruesit/ofertuesit e tenderit dhe pastaj bëhet shpallja e njoftimit për kontratë në të njëjtën datë.

Më tej, pas vlerësimit të ofertave nga komisioni vlerësues, operatori ekonomik “Ergotem S.A” shpallet fitues i tenderit dhe i ftuar për nënshkrim të kontratës. Para nënshkrimit të kontratës, operatori ekonomik “Ergotem S.A” kërkon ndryshimin e kushteve të tenderit, në veçanti lidhur me garancionin bankar, duke e ulur atë nga 50% në 15%. Kërkesa është pranuar në një takim më 21 mars 2023 në zyrat e KEK-ut, dhe kjo ulje është miratuar me nënshkrimin e kontratës më 7 prill 2023 nga Ymer Dragusha dhe më 18 prill 2023 nga Nagip Krasniqi, në një vlerë prej 1 milion e 621 mijë e 544 euro e 20 centë.

Me këto veprime, Krasniqi dhe Dragusha akuzohen për “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. Në pikën e katërt të aktakuzës, ata ngarkohen përsëri për veprën penale në bashkëkryerje, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar për tejkalimin e tyre të kompetencave përfitimin e operatorit ekonomik “Tuv Hellas” në një procedurë të negociuar për “Blerjen e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, duke vepruar përsëri në kundërshtim me rregullat e LPP-së. /Demokracia.com/

DOKUMENTE | Investimet e premtuara nga Greqia: Në Kosovë, grekët erdhën vetëm për të marrë tenderë milionësh

Të ngjashme