Lajme
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s: Evropa kalon shumë kohë në diskutime dhe shumë pak në veprime konkrete
Demokracia
10:08 | 19 Maj 2025

Share:

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe ish-kryeministri i Danimarkës, Anders Fogh Rasmussen, ka deklaruar se izolacionizmi që ka zgjedhur Amerika nën administratën e presidentit Donald Trump kërkon një qasje të re të Evropës ndaj çështjeve të sigurisë. Ai thekson se kontinenti është në një pikë kthese dhe se është koha që Evropa të mësojë të qëndrojë në këmbët e veta.

„Për shumë kohë jemi mbështetur në një model që më nuk funksionon – energji të lirë nga Rusia, mallra të lira nga Kina dhe siguri të lirë nga Shtetet e Bashkuara. Ky model ka rënë. Duhet të investojmë më shumë në sigurinë tonë“, tha Rasmussen.

Në lidhje me rolin aktual të NATO-s, ai mbetet i bindur se Aleanca ka ende rëndësi jetike. Me pritshmëri për Samitin e NATO-s në qershor, ai thotë se pret që vendet anëtare të bien dakord për rritje domethënëse të buxheteve të mbrojtjes. Ai thekson faktin shqetësues se Rusia është tashmë e armatosur deri në atë pikë sa investimet e saj në mbrojtje tejkalojnë ato të të gjithë pjesës tjetër të Evropës së bashku.

Por tensionet në kuadër të Aleancës janë shtuar. Rasmussen kritikoi ashpër qasjen e presidentit amerikan Trump ndaj Grenlandës, duke e cilësuar si „të pacipë“ dhe paralajmëroi se këto veprime mund të krijojnë ndarje të rrezikshme brenda NATO-s. Ai vuri në dukje se Danimarka ka qenë një nga aleatët më të besueshëm të SHBA-së, dhe se kërcënimet ndaj saj janë të papranueshme.

Nëse NATO fillon të përçahet nga brenda, sipas Rasmussen, alternativa është forcimi i shtyllës evropiane të Aleancës. Ai propozoi formimin e një „koalicioni të të gatshmëve“ – vende evropiane që kanë kapacitet dhe vullnet të ndërmarrin hapa konkretë për sigurinë, përfshirë dërgimin e trupave paqeruajtëse në Ukrainë dhe rritjen e investimeve në mbrojtje.

Rasmussen gjithashtu foli për nevojën e një aleance të re ekonomike, një lloj „NATO-je ekonomike“ që do të siguronte mbrojtje të ndërsjellë nga presionet tregtare. Ai propozoi krijimin e D7 – një aleancë e shtatë demokracive të mëdha botërore: Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia, Koreja e Jugut, Japonia dhe Zelanda e Re. Kjo aleancë do të bazohej në një parim të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s: një sulm ekonomik ndaj njërës do të konsiderohej si sulm ndaj të gjithave.

Është domethënëse që në këtë listë mungon SHBA. Rasmussen e justifikon këtë përjashtim me faktin se Amerika nën administratën Trump ka përqafuar izolacionizmin dhe ka nisur një luftë tregtare globale – përjashtuar Rusinë dhe Korenë e Veriut. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara për momentin nuk janë të gatshme të udhëheqin botën e lirë, ndaj nuk mund të jenë pjesë e këtij blloku të ri. Megjithatë, ai thekson se D7 nuk është një klub i mbyllur dhe SHBA mund të bashkohet kur të tregojë gatishmëri për udhëheqje globale.

Për sa i përket situatës në Ukrainë, Rasmussen konsideron se zgjidhja e duhur është vendosja e forcave paqeruajtëse evropiane që do të monitoronin një armëpushim apo marrëveshje paqeje, duke siguruar kështu garanci për të ardhmen e këtij vendi.

Megjithatë, ai shpreh zhgënjim për ritmin e ngadaltë të veprimeve në Evropë, duke thënë: „Evropa kalon shumë kohë në diskutime dhe shumë pak në veprime konkrete.“ Ai shpreson që sulmi i Putinit ndaj Ukrainës dhe rikthimi i Trumpit në pushtet të jenë një alarm i fortë që do të nxjerrë Evropën nga letargjia dhe do ta shtyjë drejt vendimeve të guximshme dhe të menjëhershme.

Në përfundim, Rasmussen bën thirrje për vendosmëri dhe veprim: „Në vend që të lusim për një vend në tryezën ku merren vendimet, duhet ta bëjmë veten të pazëvendësueshëm duke sjellë diçka të vlefshme në atë tryezë. Kjo diçka duhet të jetë një koalicion i fuqishëm, i udhëhequr nga Franca dhe Britania e Madhe – dy fuqi bërthamore të Evropës.“ /REL

Të ngjashme