Lajme
“Rritja e çmimit të rrymës, sfidë e re për bizneset – do të na imponohet rritja e çmimeve të produkteve”
Demokracia
18:01 | 18 Maj 2025

Share:

Pas rritjes së çmimit të rrymës prej 16.1 për qind, barra e qytetarëve duket se do të rëndohet. Kjo pasi çmimet e shumë produkteve po rriten vazhdimisht.

Rritja e çmimeve vërehet në furra, supermarkete, kafene e restorante. Rritja e çmimit të produkteve në Kosovë ishte paralajmëruar se do të ndodhte nëse do të rritej çmimi i energjisë elektrike.

Sipas të dhënave të ASK-së, çmimet mesatare të produkteve gjatë dy muajve të fundit kanë arritur nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit.

Kjo po shihet të jetë barrë e rëndë për jetën e qytetarëve, sidomos për shtresat me të ardhura të ulëta, rastet me ndihmë sociale e pensionistët.

Fajtore për gjendjen e krijuar me cmime shihet edhe mungesa e institucioneve, të pa formuara edhe 3 muaj pas zgjedhjeve dhe mungesa e numrit të inspektorëve për tërë territorin e Kosovës.

Megjithë, duket se jo të gjithë kanë ngritur çmimet. Një nga restorantet në qendër të Prishtinës ka ende çmimet e njëjta. Mentor Berisha, menaxher i këtij restoranti thotë se rritja e çmimit të rrymes për ta si biznes është sfidë e re.

“Pasi ZRRE vendosi që ta rrisë çmimin e rrymës për 16.1 për qind, për neve si biznes është një sfidë e re pasi na imponon që t’i rrisim çmimet sepse shumicën e gjërave i bëjmë me rrymë, e kemi gastronominë që të gjitha i bëjmë me rrymë dhe neve na imponon që t’i rrisim çmimet të paktën 10-20 për qind, të produkteve që i shesim, duke filluar nga kafja, ushqimet, ëmbëlsira, të gjitha janë kosto për neve, kosto shtesë dhe po ashtu jemi duke afruar drejt verës, fluksi është më i madh dhe shpenzimet janë më të mëdha”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar për dokumentarin Expose se kjo gjendje e re do t’i detyrojë që t’i rrisin çmimet e produkteve në muajt në vazhdim.

“Për momentin nuk i kemi rritur, po presim qershorin, eventualisht 1 korrikun, sepse ndoshta do të na imoponohet sikur çdo vit, duke filluar nga viti i kaluar e në vazhdimësi ku gjërat bazë po rritet çmimi, TVSH nuk po ndryshon dhe tani me rritjen e çmimit të rrymës, besoj do të na imponohet patjetër që t’i rrisim edhe ne çmimet”, është shprehur Berisha.

Se çmimet i kanë të njëjta dhe po presin faturën e rrymës se sa do t’u vie me rritje, thotë Berisha nga restorant Metropol. Ai thotë se më pas do të bëjnë një vlerësim për rritjen e kostos, teksa thotë se përpos rrymës është rritur edhe çmimi i kafesë.

“Aktualisht janë çmimet e njëjta si vitin e kaluar apo vitet paraprake, nuk kemi ndryshuar, po presim njëherë të na vijë fatura e rrymës, sa është proporcionale në bazë të faturës sa duhet me i rritë çmimet, mos të shkojmë me një shabllon që vetëm t’i rrisim çmimet por të shohim realisht sa na ka vështirësuar e sa na ka bërë kosto rryma për 1 muaj me krahasu me muajin e kaluar”, ka theksuar ai.

“1 kafe te na tani kushton 1 euro dhe 1 e 20 cent. Jemi duke e mbajtur edhe me e shty edhe 1 muaj, sepse përpos rrymës në gastronomi është rritur edhe çmimi i kafesë dhe është shumë problem, që nga viti i kaluar është rritur çmimi 15 për qind kilogrami i kafesë”, ka potencuar Berisha.

Sipas tij, këto rritje të çmimeve janë barrë për qytetarët e bizneset.

“Duke e parë Kosovën, ne ndoshta e paguajmë rrymën më lirë në Ballkan apo Evropë por duke i parë kushtet në të cilat jetojmë, rrogën mesatare, ekonomia jonë, është shumë barrë e rëndë për një biznes, edhe për një familje është shumë vështirë të arrihet. Pasi vendimi veç është marrë, po e presim faturën të na vie me rritje”, ka deklaruar ai./Gazeta Blic/

Të ngjashme