Apple ka njoftuar një sërë funksionesh të reja që do të jenë pjesë e përditësimit të ardhshëm të iOS, duke synuar mbështetjen e përdoruesve me vështirësi në shikim, dëgjim dhe aftësi të tjera të kufizuara.
Të shpallura në prag të Ditës Globale të Ndërgjegjësimit për Aksesueshmëri më 15 maj, këto risi përfshijnë përmirësime në përdorimin e brajlit dhe jo vetëm, përcjell Telegrafi.
Kompania prezantoi gjithashtu “etiketat e aksesueshmërisë” për aplikacionet në App Store, duke u kërkuar zhvilluesve të tregojnë funksionet që i bëjnë aplikacionet më të aksesueshme për të gjithë.
Apple theksoi se të gjitha këto veçori janë të integruara në pajisje pa ndonjë kosto shtesë.
“Ne po demokratizojmë aksesueshmërinë”, tha Sarah Herrlinger, drejtoreshë e lartë për politikat globale të aksesueshmërisë në Apple, “duke siguruar që këto mjete të jenë të disponueshme për të gjithë që në momentin që hapin pajisjen”.
Ekspertët thonë se këto përditësime — veçanërisht mbështetja e përmirësuar për brajlin — mund të jenë thelbësore për studentët dhe përdoruesit me aftësi të kufizuara.