“Demokraci apo joliberalizëm”, “Evropë apo izolim”, “kampion i matematikës apo huligan futbolli” – tituj dhe klasifikime të tilla mund të lexohen ose dëgjohen pothuajse në të gjitha mediat e pavarura rumune këto ditë. Para raundit të dytë, vendimtar të zgjedhjeve presidenciale në Rumani të dielën(18 maj 2025), opinioni publik është më i tensionuar se kurrë më parë në dekadat e fundit. Pa përjashtim, të gjithë komentuesit dhe vëzhguesit e shohin vendin në udhëkryq dhe në një moment të rëndësishëm historik.
Asnjë zgjedhje presidenciale që nga rënia e diktaturës komuniste në vitet 1989/90 nuk është karakterizuar nga kundërshtime kaq radikale midis dy kandidatëve dhe ndarje kaq të thella shoqërore si aktualisht. Rrallë herë më parë rezultati i zgjedhjeve ka qenë kaq i paparashikueshëm. Të dy kandidatët theksojnë se ata nuk rrjedhin nga “sistemi” dhe nuk përfaqësohen nga partitë tradicionale postkomuniste të Rumanisë.
Në kaos me Simionin
Në njërën anë qëndron George Simion, 38 vjeçar, lider i partisë së ekstremit të djathtë, e afërt me Rusinë, “Aleanca për Bashkimin e Rumunëve” (AUR), një ish- huligan futbolli, tani i deklaruar “sovranist” dhe fan i presidentit të SHBA, Donald Trump e kryeministrit hungarez Viktor Orban. Simion ishte fituesi i qartë i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 4 maj, duke marrë pothuajse 41 për qind.
Rivali politik i tij: Nicusor Dan, 55 vjeçar, kryebashkiak pa parti i Bukureshtit, matematikan, ish-aktivist qytetar kundër korrupsionit dhe një njeri me pikëpamje qartësisht pro-evropiane, kryesisht liberale dhe pjesërisht konservatore. Ai u rendit pas Simion në raundin e parë, duke shënuar vetëm 21 për qind.
Këto janë zgjedhje me rëndësi të madhe si për Rumaninë edhe për Evropën. Rumania është vendi i gjashtë më i madh i BE-së dhe më i madhi në Evropën Juglindore. Ajo ka kufirin më të gjatë të BE-së me Ukrainën, bazën më të rëndësishme të NATO-s dhe mburojën më të rëndësishme të mbrojtjes raketore në rajon. Deri më tani, Rumania ka qenë një partner i besueshëm dhe i parashikueshëm në Bashkimin Evropian dhe NATO. Me një president pro-rus, të ekstremit të djathtë Simion, kjo mund të ndryshojë – dhe Rumania mund të hyjë në një kaos të ngjashëm si SHBA-të nën Trump.
Presidenti nuk ka kompetenca të mëdha ekzekutive në Rumani. Por ai është Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe Kryetar i Këshillit të Lartë për Mbrojtjen Kombëtare (CSAT). Ai emëron kryeministrin, krerët e dy shërbimeve kryesore të inteligjencës dhe disa nga gjyqtarët kushtetues dhe përfaqëson Rumaninë në BE dhe NATO. Ai gjithashtu mund të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë. E gjithë kjo i jep atij ndikim të madh si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme.
Shumica e sondazheve gjatë dy javëve të fundit kanë treguar Simion pak më përpara, ndonjëherë dukshëm kryesues. Megjithatë, në një nga sondazhet më të fundit, dy kandidatët janë gati barazim. Por sondazhet zgjedhore në Rumani janë shpesh të pasakta. Asnjë institut i vetëm nuk e kishte parashikuar fitoren e Simion në raundin e parë.
Kthesa e Simion
Lideri i AUR-së shpesh kryesonte titujt e mediave vitet e fundit me paraqitje të ashpra, ndonjëherë të dhunshme fizikisht, ai premtonte rregullisht “të shkatërronte sistemin”. Jo drejtpërdrejt ai bënte fjalë për daljen nga BE dhe NATO, dhe se Republika e Moldavisë dhe rajonet jugperëndimore të Ukrainës do të bashkoheshin me Rumaninë. Simion binte në sy me simpatitë e tij pro-ruse dhe agjitacionin nacionalist kundër pakicës hungareze në Rumani.
Simion është larguar papritur nga këto pozicione kohët e fundit. Ai shfaqet i qetë për të, duke u përmbajtur nga shprehjet vulgare dhe britmat. Në vend që të flasë për daljen nga BE dhe NATO, ai flet për respekt dhe dinjitet për Rumaninë dhe se me të si president vendi do të jetë një partner “në nivel të barabartë dhe jo më i përulur”. Por ajo që mbetet është agjitacioni anti-ukrainas, për shembull, kur përhap gënjeshtra për trajtimin e supozuar preferencial të azilkërkuesve ukrainas ndaj qytetarëve rumunë. Po ashtu nuk ka ndryshuar që Simion ka pak njohuri për administratën publike, ekonominë, Bashkimin Evropian dhe politikën e jashtme dhe të mbrojtjes.
“Antisistemi” përfaqëson sistemin
Me Danin, Rumania dhe BE-ja do të kishin një president që i mbetet besnik një kursi pro-evropian, sundimit të ligjit, transparencës, me të ka parashikueshmëri. Dan ofron mbështetje të pakushtëzuar për Ukrainën. Si kryebashkiak i Bukureshtit, Dan ka dëshmuar se mund të shtyjë reforma, edhe nëse nuk ka mundur të përmbushë disa nga premtimet e tij deri tani. Problemi i tij është se ai nganjëherë ngatërrohet në kompleksitetin e mendimit. Në debatet televizive me kundërshtarin e tij në javët e fundit, ai shpesh reagoi mendjemprehtë. Por po ashtu e shmangte përballjen aty ku nuk duhej dhe shpesh sillej defensiv.
Nicusor Dan ka njoftuar se nëse fiton zgjedhjet, do të emërojë presidentin e përkohshëm Ilie Bolojan si kryeministër. Bolojan është një politikan që konsiderohet kryesisht me integritet dhe gëzonte reputacion të mirë si kryebashkiak i qytetit perëndimor rumun të Oradea (Oradea). Megjithatë, si një politikan udhëheqës për një kohë të gjatë i Partisë Nacional Liberale (PNL), ai përfaqëson “sistemin” – kjo i ndikon negativisht shanset elektorale të Danit, sepse ka pakënaqësi të madhe brenda shume pjesëve të shoqërisë rumune ndaj establishmentit, kjo duket se është forca lëvizëse në këto zgjedhje.
Ndërkohë i vetëshpalluri “prishës i sistemit” George Simion përfaqëson vazhdimësinë me sistemin e vjetër nacional-stalinist Çaushesku, pjesë të të cilit kanë mbijetuar deri në ditët e sotme – ndër të tjera në partinë AUR. Simion do të emëronte gjithashtu ezoterikun pro-rus Calin Georgescu si kryeministër. Ekstremistit të krahut të djathtë i ishte ndaluar të kandidonte sërish për president. Dhe në gjithë karrierën e tij politike Georgescu ka mbrojtur ish-diplomatët e Çausheskut dhe punonjës të shërbimit sekret famëkeq, Securitate.
Në një ese, aktivisti i të drejtave civile dhe ish-kundërshtar i regjimit të Çausheskut, Gabriel Andreescu, përfundon: “Një fitore për George Simion do të ishte faza e fundit në ringjalljen e rrjeteve ish-komuniste të pushtetit.”/ DW