Lajme
Ylli që parashikoi Evropën e nesërme
Demokracia
11:47 | 18 Maj 2025

Share:

Kur firmat nuk i vë në një marrëveshje, por në një yll, atëherë historia nuk shkruhet, por ndodh. Pak kush e pa yllin që hyri në histori.

U fol për samitin, për sigurinë, për deklaratat politike dhe për fotografinë e zakonshme familjare që shoqëron çdo mbledhje të liderëve.

Por pakkush foli për yllin.

Për atë objekt të vetëm që qëndroi në mes të sallës si një ftesë e hapur dhe që në fund u mbush me firmat e 47 liderëve evropianë.

Asnjë protokoll nuk e kërkonte. Asnjë ceremoni nuk e impononte. Por të gjithë firmosën. Sepse ndjenë se po bëheshin pjesë e diçkaje më të madhe se vetja. Diçka që nuk kishte lidhje me detyrimin. Por me përkatësinë.

Që aty, nisi një rrëfim tjetër. Një rrëfim për një simbol që për një moment të shkurtër i bëri të gjithë njësoj. Dhe për një vend që i mirëpriti pa kompleks, por me dinjitetin e një mikpritësi që e di çfarë ka në zemër.

Ka momente kur politika rreshtohet me artin dhe historia e gjen veten në një objekt të vetëm. Yllin!

Në Tiranë ndodhi diçka që nuk ndodh shpesh. Një yll i madh shumëngjyrësh u kthye në vend përkushtimi. Jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë kontinentin.

Ishte një yll që i ftoi të gjithë. Dhe të gjithë erdhën. Asnjë nuk mungoi. Asnjë nuk refuzoi të firmoste mbi të.

Nuk ishte një traktat. As një marrëveshje që ngurtësohet në rregulla e klauzola. Ishte një gjest i thjeshtë. Një ftesë për të marrë pjesë në kujtesën e përbashkët.

Liderët e 47 vendeve evropiane firmosën mbi të njëjtin yll. E bënë pa hezitim. E bënë me gëzim. E bënë si të ishin në një shtëpi ku mikpritja nuk të lë të ndihesh asnjëherë i huaj.

Ylli nuk ishte i zakonshëm. Ishte forma që kishte zgjedhur Shqipëria për ta treguar veten. Dhe mënyra si u pranua ky simbol nga të gjithë e shndërroi atë yll në një objekt të rrallë.

Diçka që të kujton klasat e para kur mëson të vendosësh firmën tënde për herë të parë mbi një letër me kuptim.

Kishte diçka nga piktura e një shtëpie që nuk është ndërtuar ende por që tashmë ka themelet në mendje dhe në zemër.

Kishte diçka nga besimi i përbashkët se kjo Evropë është më shumë se gjeografi. Është përkatësi.

Edi Rama e kishte përdorur këtë yll në bluzë, në atlete (patika). E kishte bërë pjesë të fushates zgjedhore ku fliste për rrugën e vetme të Shqipërisë. Rrugën drejt Evropës.

Dhe në këtë kthim simbolik, e njëjta formë, i njëjti yll, mori një tjetër jetë.

Nuk ishte më vetëm një emërues i brendshëm. Ishte shenjë e përbashkët e një Evrope që zgjodhi të besojë se Shqipëria është pjesë e saj.

Salla ku ndodhi gjithçka ishte vetë një shfaqje. Muret ishin të mbushura me vizatime që ngjanin si ëndrra të një imagjinate pa kufij.

Tapeti blu që shtrihej si qiell i kthjellët. Dritat që nuk ishin të ftohta por të buta. E gjithë ajo hapësirë dukej si një muze momental i një civilizimi që flet shumë gjuhë por ndan të njëjtin shqetësim. Bashkimin.

Firmat mbi yll, në të vërtetë, nuk ishin thjesht emra. Ishin pohime. Ishin dëshmi që në këtë kohë të paqartë, ka ende vullnet për të ndërtuar kujtesë të përbashkët.

Ka ende liderë që dinë të hedhin firmën jo vetëm mbi ligje por edhe mbi ndjenja. Të gjithë e pranuan. Të gjithë u bënë pjesë. Pa fjalë të mëdha. Pa deklarata. Vetëm me një gjest. Dhe ky gjest i vogël do të jetojë më gjatë se shumë fjalime.

Sepse ndonjëherë politika ka nevojë për një objekt që të mos harrohet. Një yll që të ngulitet në kujtesë. Një simbol që tregon se mikpritja është akt politik.

Se estetika është pjesë e seriozitetit. Se Shqipëria di të jetë qendër pa e kërkuar. Di të jetë e thjeshtë pa qenë e vogël. Di të jetë e ngrohtë pa e humbur qëndrueshmërinë.

Ky ishte ylli i një Evrope që po kërkon veten. Dhe Shqipëria e mbajti për pak kohë atë kërkim në duart e saj. E bëri me art. Me butësi. Me një qetësi që fton dhe nuk tremb. Dhe në fund, firmat mbetën. Jo në letra që harrohen. Por mbi një yll që do të qëndrojë.

Dhe ndoshta një ditë, kur Shqipëria të mos jetë më vetëm mikpritëse por edhe zyrtarisht pjesë e familjes evropiane, ky yll do të kthehet në qendër të një selie.

Do të vendoset aty ku kujtimi takon identitetin. Si dëshmi se Evropa nuk ndërtohet vetëm me marrëveshje. Por me akte të vogla që prekin zemrën. Dhe Shqipëria e ka vendosur firmën e saj. Para kohe. Me bindje. Dhe me dinjitet.

Si kujtim. Si përkushtim. Si dëshmi se kur mikpritja është e vërtetë, edhe Evropa di të vijë. Dhe Shqiperia vendosi të ardhmen e vet të parakohshme me nënshkrimin e Edi Ramës.

Dëshmi e tij dhe 47 liderëve tjerë se në Tiranë u nënshkrua në shtëpinë e Evropës, për Evropën.

Të ngjashme