Në një klimë globale ku presionet inflacioniste po zbuten, veçanërisht në eurozonë, Kosova duket se po noton kundër rrymës. Ekonomisti Edison Jakurti ngriti alarmin se vendi tashmë gjendet në një situatë të tillë – një inflacion që nuk vjen më nga jashtë, por që ushqehet brenda vetë strukturës së tregut vendor. Ndërkohë, institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë të paralizuara nga këmbëngulja e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, për ta rikandiduar në pafundësi Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares – pavarësisht mungesës së mbështetjes nga 61 deputetët e nevojshëm për t’i siguruar asaj drejtimin e këtij institucioni.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit u rrit me 3% në prill 2025 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa vetëm brenda një muaji (nga marsi në prill) çmimet u rritën me 0.2%.
Në krye të listës së artikujve me rritje më drastike të çmimeve qëndrojnë produktet që konsiderohen gjerësisht si pjesë e përditshmërisë: kafeja, çaji dhe kakaoja — me një rritje shqetësuese prej 16% në baza vjetore. Të ndjekura nga shërbimet për mirëmbajtjen e automjeteve, frutat, vajrat, bulmeti, energjia elektrike dhe pijet alkoolike
Jakurti argumenton se për dallim nga periudha pas pandemisë, ku inflacioni kishte një natyrë të importuar, sot tabloja është e qartë: eurozona, burimi primar i importeve të Kosovës, e ka stabilizuar normën e inflacionit. E njëjta situatë vlen për pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përjashtim bën Bosnja dhe Hercegovina.
“Kësaj here situata është shumë më e qartë. Eurozona, ku përdoret euro dhe prej nga Kosova importon më së shumti, e ka stabilizuar tashmë normën e inflacionit. As vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Bosnjës dhe Hercegovinës, nuk shfaqin ndonjë trend rritës.” – ka shkruar Jakurti.
Pavarësisht stabilitetit të dukshëm të normave inflacionare në eurozonë dhe në vendet përreth, Kosova po përshkohet nga një trajektore rritëse. Në këtë kontekst, eksperti i ekonomisë ia atribuoi këtë përshkallëzim pritshmërive në rritje për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.
“Ndërsa Kosova duket se po futet në një valë të re inflacionare — një profeci vetëpërmbushëse, ku pritshmëritë për rritjen e tarifave të energjisë po nxisin që tani rritjen e çmimeve në treg.”
Veçanërisht alarmante, sipas Jakurtit, është dinamika e çmimeve të produkteve bazike. Sipas tij, “grykësia për përfitim” po shoqërohet me “heshtje shurdhuese” të institucioneve.
“Veçanërisht shqetësuese është rritja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, e cila në prill ishte më shumë se dyfishi i normës së përgjithshme të inflacionit. Kosova tani për tani nuk po importon inflacion. Ajo po e prodhon vetë. Dhe këtë po e nxit grykësia për përfitim, e lehtësuar nga heshtja shurdhuese e institucioneve.” – tha Jakurti.
Në anën tjetër, njohësi i ekonomisë, Shenoll Muharremi ngriti shqetësimin për përkeqësimin e katër indikatorëve kyç të ekonomisë në fillim të vitit 2025 , duke i konsideruar si sinjale alarmi që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme:
“Këto katër indikatorë thelbësor të ekonomisë po na përkeqësohen periudhën e fundit. A kemi ndonjë zgjidhje? Sa më shumë i injorojmë, më vështirë zgjidhjen dhe adresohen. Institucionet publike, Parite politike duhet me u fokusu rreth këtyre fushave dhe temave dhe me gjetë zgjidhje efektive për to. Menjëherë. Ato që po kërkojnë vemendje të theksuar janë: Inflacion, Deficit Tregtar Mallra, Punësim, Energjia. Kush i rregullon dhe gjenë zgjidhje për këto, e rregullon edhe ekonominë.
Periudha e fundit:
1. Inflacioni nga 0.7% ne 3% (rritje rapide nen-prill) (ask)
2. Deficiti Tregtar thellim 21,8% në mars 2025 (ask)
3. Punesimi: -116,107 llogari aktive më pak Janar (trusti)
4. Energjia: Rritje importit 184.98% TM1 2025 (dogana)”