Pas aksioneve të fundit në Veri të Kosovës, partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga Kosova që të ndalë veprimet e tilla, pasi ato mund të përshkallëzojnë situatën. Ndërkohë, është kërkuar edhe rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Asnjë rund i dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë nuk është zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023. Gjatë kësaj kohe ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pritet që gjatë javës së ardhshme të vizitojë Kosovën, në një kohë kur thirrjet për rifillimin e dialogut mes dy vendeve janë shtuar.
Para disa javësh, Kallas kishte deklaruar se dialogu Kosovë–Serbi ka ngecur për shkak të vazhdimit të akuzave reciproke ndërmjet palëve.
“Mendoj se duhet ta mbajmë qëllimin përfundimtar në mendje – normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, në mënyrë që të mund të ecin përpara në rrugën evropiane”, deklaroi Kallas të premten, gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Ndërkohë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka shprehur shpresën që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të rifillojë në javët në vijim.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi për turizmin.
“Unë shpresoj që në javët e ardhshme të rifillojmë dialogun, si me Prishtinën, ashtu edhe me Beogradin, sepse secili vend është përballur me vështirësi. Në këtë mënyrë mund të bëjmë përparim. Është e rëndësishme për të gjithë rajonin”, deklaroi Macron para gazetarëve.
Ai theksoi se Franca do të vazhdojë ta mbështesë procesin e dialogut së bashku me partnerët evropianë.
“Nuk duhet të lejojmë që të vendoset një dialog i tërthortë, pasi kjo nuk është mënyra e duhur për të avancuar. Të paktën kemi një vullnet për fillimin e këtij avancimi, sepse mendoj se për sigurinë dhe bashkimin e Evropës duhet ta ndjekim këtë rrugë. Nuk është kurrë ide e mirë të mundohemi të përçajmë linjat apo të kemi dyshime për procesin”, shtoi ai.
Ndërkohë, gjatë javës së fundit, institucionet e Kosovës kanë mbyllur disa institucione në Veri të vendit, veprime këto që kanë nxitur reagimin e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar ndalimin e tyre, për shkak të rrezikut të përshkallëzimit të situatës.
“Misioni rithekson se çështje të tilla duhet të trajtohen përmes angazhimit konstruktiv dhe mbështet thirrjet për zgjidhjen e tyre në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagimin e OSBE-së të lëshuar të premten.
Nga Bashkimi Evropian, ndërkohë, është thënë se veprimet e institucioneve të Kosovës mund të dëmtojnë imazhin e vendit.
“Operacionet, inspektimet dhe mbylljet e fundit nga policia në Kosovë rrezikojnë të përkeqësojnë tensionet dhe të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale, si dhe të minojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në komunikatën e BE-së.
Në veçanti, BE-ja ka përmendur operacionet ndaj “Ujësjellësit Ibër” në Mitrovicën e Veriut dhe mbylljen e një fabrike në Zubin Potok.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve. I bëjmë thirrje kryeministrit në detyrë, Kurti, dhe autoriteteve në Kosovë që t’i ndalin këto mbyllje, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin masa përshkallëzuese”.
Në anën tjetër presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim të shkurtër për media, para fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian të premten që është mbajtur në Tiranë, vlerësoi se Bashkimi Evropian fillimisht duhet t’i heqë masat ndëshkuese të vendosura Kosovës në qershorin e vitit 2023, në atë mënyrë që Kosova të marr pjesë në procesin e dialogut.
“Sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, ne duhet të flasim për heqjen e masave të Bashkimit Evropian, sepse kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së, kam kërkuar edhe mbrëmë gjatë darkës së organizuar nga ana e BE-së, do të kërkoj edhe sot, sepse kjo do të jepte kredibilitet dialogut”, tha ajo.
Ajo ndër tjera tha se Kosova ende nuk e ka pranuar planin e ri të Bashkimit Evropian për si të ecet përpara me procesin e dialogut.
Më 7 maj, deputetët e Parlamentit Evropian kërkuan që Kosova dhe Serbia të hapin një kapitull të ri në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve.
“Është e qartë që procesi integrues i Kosovës ka nevojë për një momentum të ri – na duhet një kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit”, kishte deklaruar raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras.
Eurodepoutetët kishin miratuar edhe një raport për Serbinë, të cilës iu kërkua që të përmirësojë dialogun e brendshëm politik, të mbrojë sundimin e ligjit dhe të bëjë reforma kundër korrupsionit.
Ndërkaq, sa i përket dialogut me Kosovës, në raport u tha se Serbia “duhet të punojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën”, por po ashtu edhe të “harmonizojë plotësisht politikën e saj të jashtme me atë të BE-së”.