Lajme
Profesori Millaku mohon se kanosi kolegen e tij: Historiku i saj është me shqetësime
Demokracia
15:34 | 17 Maj 2025

Share:

Gjatë ditës së sotme, klankosova.tv raportoi për një sherr që pretendohet të ketë ndodhur në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, më saktë në Fakultetin e Filologjisë.

Siç merr vesh Klankosova.tv, profesor Shkëlqim Millaku po dyshohet se e ka kanosur një kolege të këtij institucioni.

Klankosova.tv ka kontaktuar me profesorin Millaku i cili tha se nuk është e vërtetë që ai e ka kanosur profesoreshën, duke shtuar se i ka tejkaluar problemet me të.

Për më tepër, ai u lëshua në akuza ndaj koleges së tij, duke thënë se historiku i saj është me shqetësime dhe krijon situata për të arritur deri tek ndonjë interes i saj i caktuar.

“Nuk është e vërtetë, ajo e ka mllefin e vet, kurgjo e vërtetë nuk është, ne prapë jemi kolegë, unë i kam tejkaluar problemet. Ardhja e saj si profesoreshë ka ardhë me probleme dhe telashe serioze, si rezultat edhe kundërkandidati Vehbi Miftari e ka fituar të drejtën ligjore, mirëpo rektorati i asaj kohe nuk e ka respektu të drejtën e tij dhe është gjobitur ish-rektori dhe Universiteti. Andaj historiku i koleges është me shqetësime dhe ajo krijon situata për të arritur deri tek një interes i veti i caktuar. Mirëpo, senati i Universitetit të Prizrenit është organi më i lartë akademik dhe me datë 16 maj e ka refuzuar për t’u zgjedhur dekane”, tha Millaku për Klankosova.tv

Më tej, profesori Millaku tha se në vitin 2019 profesoresha në fjalë është emëruar në mënyrë të paligjshme dhe ka iniciuar shkarkimin e dekanit që tashmë është në proces gjyqësor.

Ai përmendi edhe një konkurs për të cilin thotë se profesoresha e ka anuluar dhe është ende në proces gjyqësor.

“Në vitin 2018 unë jam zgjedhur dekan, kjo e ka kontestu punën time, e ka humbur lëndën. Në vitin 2019 në mënyrë jo zyrtare është emëruar në mënyrë të paligjshme dhe ka iniciuar shkarkimin e dekanit që është në proces gjyqësor. Pastaj e ka anulu një konkurs dhe prapë është në proces gjyqësor. Kurse për lëndën e fundit kemi vendim të inspektoratit të punës që është aprovuar në favorin tonë që është konkurs për 11 pozita. Të njëjtin e ka aprovuar edhe Gjykata Themelore në Prishtinë”, tha mes tjerash Millaku.

Lajmi për sherrin mes kolegëve është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prizren, të cilët për Klankosova.tv kanë bërë të ditur që me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetimi.

Ata kanë thënë se patrulla policore i është përgjigjur rastit dhe të njëjtët viktimën e rastit e kanë shoqëruar për në stacionin policor Prizren për intervistim.

Është thënë po ashtu se lidhur me rastin është informuar hetuesi kujdestar i cili ka informuar Prokurorin e shtetit dhe me urdhër të tij është iniciuar rast.

Redaksia e klankosova.tv e ka kontaktuar profesorin që në raportimin e parë, por i njëjti fillimisht edhe pse e ka mohuar rastin, ka lënë të kuptohet se ka pasur diçka, duke deklaruar që kolegia e tij e ka humbur procesin. /Klankosova.tv

Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Të ngjashme